UBT News

COVID-19: Çfarë dihet për variantin e ri XBB.1.5?

Një nënvariant i ri i COVID-19 po ngjall shqetësim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po përhapet me shpejtësi. Disa raste janë regjistruar edhe në Britani të Madhe.

Çfarë është XBB.1.5?

Është një nënlloj i variantit dominues Omicron, i cili vetë pasoi variantet e mëparshme Alpha, Beta, Gamma dhe Delta.

Omicron ka tejkaluar të gjitha versionet e mëparshme të koronavirusit qëkur u shfaq në fund të vitit 2021 dhe ka krijuar shumë nënvariante që janë edhe më ngjitëse sesa origjinali.

Simptomat e XBB.1.5 mendohet të jenë të ngjashme me ato të varianteve të mëparshme të Omicronit, por është ende shumë herët për ta konfirmuar këtë. Shumica e njerëzve përjetojnë simptoma të ngjashme me të ftohtin.

A është XBB.1.5 më helmues apo më i rrezikshëm se variantet e mëparshme?

Vetë XBB.1.5 ka evoluar nga XBB, variant ky që filloi të përhapej në Britani të Madhe në shtator të vitit 2022, por që nuk është klasifikuar si një i ashtuquajtur “variant shqetësimi” nga autoritetet shëndetësore.

XBB kishte një mutacion që e ndihmoi të mposhtte mbrojtjen imune të trupit, por e njëjta cilësi uli gjithashtu aftësinë e tij për të infektuar qelizat njerëzore.

Ekspertët thonë se nuk ka asnjë indikacion se është më serioz apo më i dëmshëm se variantet e mëparshme të Omicronit.

Ku po përhapet ky variant?

Mbi 40% e rasteve me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara vlerësohet se shkaktohen nga XBB.1.5, duke e bërë atë llojin dominues në vend.

Në fillim të dhjetorit, ky variant përbënte vetëm 4% të rasteve, kështu që ka kaluar shpejt versionet e tjera të Omicron.

Javët e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rritur numri i pacientëve të shtrirë me COVID-19./UBTNews/

Exit mobile version