Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë pasi hapësira e saj ajrore u shkel nga dronët e një sulmi rus mbi Ukrainën, tha presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa.
Përmes një reagimi në X ai tha se “ngjarjet e mbrëmshme janë një kujtesë e fortë se siguria e njërit është siguria e të gjithëve”.
“Agresioni i vazhdueshëm i Rusisë kundër Ukrainës dhe ndërhyrjet e pamatura në hapësirën ajrore në shtetet anëtare të BE-së përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e të gjithë evropianëve dhe për infrastrukturën kritike në të gjithë kontinentin tone”, tha Costa.
Gjatë natës, një “numër i madh” dronësh rusë u rrëzuan mbi hapësirën ajrore polake, tha kryeministri i vendit. Duke folur përpara një takimi urgjent, Donald Tusk tha se ishte hera e parë që dronë rusë u rrëzuan mbi Poloni.
Polonia mbylli përkohësisht hapësirën e saj ajrore dhe filloi një operacion ushtarak, të cilit iu bashkuan avionë të NATO-s dhe holandezëve. Qytetarëve në tre rajone polake përgjatë kufirit ukrainas iu tha të qëndronin në shtëpi.
Një operacion ushtarak ka përfunduar pasi avionë polakë dhe të NATO-s u vendosën dhe shumica e aeroporteve janë rihapur.
Rusia ende nuk ka komentuar rreth kësaj.
Dronët që hynë në Poloni ishin pjesë e sulmit të fundit të madh ajror ndaj Ukrainës, ku Rusia lëshoi 415 dronë gjatë natës, raporton BBC.
Presidenti i Ukrainës Zelensky thotë se “të paktën tetë dronë sulmues” ishin të drejtuar drejt Polonisë, duke e quajtur përshkallëzimin një “precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për Evropën”./D.B/KP