UBT News

Çmimi i naftës në Kosovë bie për vetëm 1 cent, pavarësisht rënies në tregjet botërore

Çmimi i naftës në Kosovë të martën ka shënuar një rënie të lehtë prej vetëm 1 cent krahasuar me ditën e hënë, pavarësisht zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare pas marrëveshjes SHBA–Iran, e cila ndikoi në uljen e çmimit global të naftës me rreth 5 për qind.

Sipas çmimit tavan të vendosur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, një litër naftë të martën kushton 1.49 euro, ndërsa një ditë më parë ishte 1.50 euro.

Ndërkohë, çmimet e benzinës dhe gazit kanë mbetur të pandryshuara. Një litër benzinë vazhdon të shitet për 1.39 euro, ndërsa një litër gaz për 0.67 euro.

Në tregjet ndërkombëtare, nafta Brent ka rënë me 4.3 për qind në 83.55 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane me 4.9 për qind në 80.74 dollarë për fuçi.

Rënia globale e çmimeve vjen pas njoftimeve për një marrëveshje kornizë që synon zbutjen e tensioneve dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët kryesore të furnizimit me naftë në botë./A.K/

Exit mobile version