Çmimet e shitjes me shumicë në Gjermani u ulën për 2.7% me një ritëm vjetor në muajin janar, duke shënuar muajin e 10-të radhazi të rënies, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të premten.
Shifra pasoi një rënie prej 2.6% në dhjetor 2023, treguan të dhënat nga zyra e statistikave Destatis.
Ashtu si në muajt e mëparshëm, kjo ka ardhur kryesisht nga rënia vjetore prej 7.2% e çmimeve të produkteve të naftës minerale, thuhet aty.
“Çmime më të ulëta të shitjes me shumicë nga viti në vit u regjistruan edhe për drithërat, duhanin e papërpunuar, farat dhe ushqimet e kafshëve (-20,3%), produktet kimike (-16,3%), metalet dhe mineralet metalike (-12,7%), dhe mbetjet dhe skrapin (-6.4%)”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër, nga viti i kaluar janë rritur çmimet për pemët, perimet dhe patatet (11.8%), sheqerin, ëmbëlsirat dhe produktet e bukës (7%), pijet (6.5%) dhe produktet e duhanit (5.1%).
Në baza mujore, çmimet me shumicë u rritën me 0.1% në janar, duke u zhvendosur nga një rënie prej 0.6% në dhjetor 2023./AA