Çmimet e arit u rritën në tregjet globale pasi frika e një përshkallëzimi të konfliktit në Lindjen e Mesme i shtyu investitorët të zhvendosnin kapitalin drejt aseteve të sigurta.
Në treg, çmimi i arit fizik u rrit me 0.5 për qind gjatë mëngjesit, në 2.038 dollarë për ons, duke zgjatur trajektoren rritëse që e ka mbajtur atë mbi nivelin 2.000 dollarë për gati një muaj. Në tregun e të ardhmes në SHBA, ari u rrit me 1.2 për qind, në 2.042 dollarë.
“Çmimi i arit po rritet për shkak të konfliktit aktual gjeopolitik në Lindjen e Mesme. Pavarësisht se norma e inflacionit në SHBA ka mposhtur pritjet, çmimet e arit u rikuperuan sot dhe ka të ngjarë të rriten më tej”, tha Kunal Shah nga Nirmal Bang Commodities në Mumbai – Indi.
SHBA dhe Britania kanë sulmuar objektiva të lidhura me rebelët Houthi në Jemen dhe Arabia Saudite ka bërë thirrje për përmbajtje.
Në kushte të tilla, çmimet e argjendit u rritën 0.7 për qind në 22.91 dollarë për ons. Platini u rrit në çmim me një përqindje të ngjashme, në 920.42 dollarë. Rritjen më të vogël e ka shënuar paladiumi 0.2 për qind, në 990.25 dollarë, sipas të dhënave të bursës.