Shumë faqe interneti të njohura, përfshirë “X” dhe “ChatGPT”, u përballën me rënie të martën për shkak të një problemi që preku kompaninë e njohur të infrastrukturës së internetit, “Cloudflare”, raporton “BBC”.
Mijëra përdorues raportuan vështirësi me uebfaqe dhe shërbime të ndryshme në platformën e monitorimit “Downdetector”, me raportimet që nisën rreth orës 12:00.
Sipas “Cloudflare”, ndërprerja e madhe u shkaktua nga një file konfigurimi i krijuar për menaxhimin e trafikut të kërcënimeve, i cili nuk funksionoi siç ishte parashikuar dhe “shkaktoi një bllokim” në softuerin që përpunon trafikun për shërbimet më të gjera të kompanisë.
“Ne kërkojmë falje ndaj klientëve tanë dhe internetit në tërësi që i zhgënjyem sot. Duke marrë parasysh rëndësinë e shërbimeve të ‘Cloudflare’, çdo ndërprerje është e papranueshme”, deklaroi kompania.
Megjithëse problemi është zgjidhur, “Cloudflare” njoftoi se disa shërbime mund të vazhdojnë të shfaqin gabime ndërsa rikthehen online.
Një gamë e gjerë aplikacionesh dhe faqesh u ndikuan nga ndërprerja, përfshirë edhe portalin KOHA.net.
“Cloudflare” është ndër ofruesit më të mëdhenj të sigurisë në internet, duke ofruar shërbime si verifikimi i trafikut për të dalluar përdoruesit realë nga robotët. Kompania thotë se rreth 20% e faqeve të internetit në botë përdorin shërbimet e saj. /A.Z/UBT News/
