UBT News

Çka tutje pas votimit në Asamblenë Parlamentare për anëtarësimin e Kosovës në KiE?

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me shumicë votash rekomandoi anëtarësimin e Kosovës në këtë Këshill. Pro anëtarësimit ishin 131 eurodeputetë, ndërkaq 29 ishin kundër.

Tutje faza finale për anëtarësim të plotë i takon ministrave të jashtëm të Këshillit të Evropës, që pritet të mbahet në maj.

Në këtë kontekst, ditë më parë ishte ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, që fazën përfundimtare të anëtarësimit e konsideroi si të vështirë për Kosovën.

Për një prononcim për UBTnews, ish-diplomati Sylë Ukshini thotë se deklarata e ambasadorit gjerman rezulton si një presion politik për qeverinë e vendit.

“Nëse e lexojmë mes rreshtave, dmth në kuptimin diplomatik kjo tregon që indirekt dëshirohet t’i bëhet një lloj presioni qeverisë të Kosovës, që të përshpejtojë çështjen e statutit, të Asociacionit, sepse është bërë e qartë që krahas zotimit me shkrim që e kanë bërë tre liderët sigurisht kërkojnë tashmë hapa konkretë. Deri në maj këta sigurisht do t’i kërkojnë qeverisë që të kaloj statutin në qeveri dhe të dërgojë në gjykatën kushtetuese”, deklaroi ai.

Por cilat janë gjasat që Kosova të mos e kalojë fazën finale në Këshillin e Ministrave?

“Ky është një moment i madh, ndoshta pak jemi gëzuar më tepër se sa që duhet, sepse unë mendoj që gëzimi dhe shampanja do të duhej të ngrihej në momentin kur anëtarësohemi, por unë mendoj që edhe bashkësia ndërkombëtare përkatësisht Bashkimi Evropian është para një momenti shumë të rëndësishëm, sepse mosanëtarësimi vital i Kosovës, unë mendoj që e godet për vdekje dialogun dhe i humb çdo kuptim për të vazhduar dialogu”, deklaroi ai tutje.

Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës që nga 12 maji i vitit 2022. Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut./UBTNews/

Realizoi: Dea Berisha

Exit mobile version