Zyrtarët shëndetësorë në Britani të Madhe po i paralajmëron prindërit rreth një infeksioni të quajtur strep A, i cili ua mori jetën disa fëmijëve.
Pas lehtësimit të masave antiCOVID, ka shumë mundësi për rritjen e infeksioneve të tilla. Sidomos gjatë javëve të fundit, rastet në Britani të Madhe u rritën.
Ndonëse shumica e njerëzve nuk kanë simptoma të rënda, bakteri shumë ngjitës që shkakton infeksionin mund të sjellë sëmundje serioze dhe komplikime.
Çfarë është strep A?
Strep A ndonjëherë shfaqet në lëkurë apo fyt. Shumë njerëz mund ta kenë këtë infeksion pa qenë në dijeni.
Si transmetohet?
Infeksioni mund të përhapet përmes kontaktit të ngushtë, nga kollitja dhe teshtitja. Shpërthimet e tilla ndonjëherë mund të ndodhin në vende si shkolla dhe shtëpi të kujdesit.
Cilat janë simptomat?
Kryesisht simptomat janë të lehta – një dhimbje fyti ose një infeksion i lëkurës që mund të trajtohet lehtësisht me antibiotikë. Por strep A mund të shkaktojë një sërë sëmundjesh e infeksionesh – dhe disa prej tyre janë më serioze.
Njëra është skarlatina, e cila prek më së shumti fëmijët e vegjël dhe duhet të trajtohet me antibiotikë.
A është i rrezikshëm strep A?
Edhe pse në raste të rralla, streptokoku A mund të shkaktojë edhe atë që njihet si infeksion streptokoksik i grupit A invaziv ose iGAS. Ky mund të jetë vdekjeprurës.
Sëmundja invazive ndodh kur bakteret kalojnë mbrojtjen imune të trupit tuaj. Kjo mund të ndodhë kur jeni tashmë i sëmurë ose jeni duke u trajtuar, sikurse te personat që marrin terapi ndaj sëmundjes së kancerit, që ndikojnë në sistemin tuaj imunitar.
Shenjat paralajmëruese të sëmundjes invazive janë: ethe (temperaturë e lartë mbi 38C) dhe dhimbje të forta të muskujve./UBTNews/