Shqipëria do të jetë organizatore e stërvitjes ushtarake “Defender Europe 2023”, që do të mbahet verën e 2023-s, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë.
Kjo stërvitje është vjetore, shumëkombëshe, e përbashkët në shkallë të gjerë dhe e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në mesin e 26 shteteve pjesëmarrëse do të jetë edhe Kosova, shkruan “europeanwesternbalkans”.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se Ushtria e Kosovës do të jetë pjesëmarrëse në këtë stërvitje me dy regjimente, ndërsa është planifikuar që të validohen kapacitetet e këmbësorisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në nivelin e Regjimentit, nga njësi të specializuara për validim të ushtrisë amerikane.
Nga kjo stërvitje e përbashkët, shtetet krijojnë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe vendeve aleate.
Një stërvitje e tillë ishte mbajtur në vitin 2021, në disa vende të Evropës si në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Estoni, Gjermani, Greqi, Hungari, Itali, Maqedoni të Veriut dhe Rumani.
Mijëra ushtarë amerikanë dhe të vendeve anëtare të NATO-s kanë qenë pjesë e stërvitjeve të përbashkëta.
“Defender Europe” daton që nga periudha e Luftës së Ftohtë, në vitin 1952, nga Danimarka dhe Norvegjia. Në stërvitjen e parë ishin përfshirë 200 anije dhe mbi 50 mijë ushtarë. Ajo ishte kryer me disa faza.