UBT News

Çka duhet të bëni nëse helmoheni nga ushqimi?

Bakteret janë të paevitueshëm në çdo ushqim që konsumojmë. Megjithatë, nëse nuk tregojmë kujdes në përpunim, gatim dhe ruajtje të ushqimit, këto baktere shumëfishohen në atë masë sa shkaktojnë sëmundje të ndryshme.

Parazitët, viruset, toksinat dhe kimikatet janë ndër ndotësit më të mëdhenj të ushqimit dhe shkaktarët më të përhapur të sëmundjeve.

Një prej problemeve më të zakonshme që has njeriu nga këto baktere është helmimi nga ushqimi.

Disa prej simptomave të helmimit nga ushqimi janë:

– Diarea
– Të përzierat
– Dhimbjet e stomakut
– Të vjellat
– Dehidratimi
– Ethet

Dehidratimi si pasojë e helmimit nga ushqimi shoqërohet edhe me:

– Marramendje dhe humbje ekuilibri
– Lodhje
– Etje të tepërt

Helmimi nga ushqimi varet nga organizmi, ekspozimi ndaj baktereve, mosha dhe shëndeti.

Grupet më të rrezikuar nga helmimi janë:

Të moshuarit – Me kalimin e moshës, sistemi imunitar nuk përgjigjet mjaftueshëm shpejt ndaj organizmave infektues.

Bebet dhe të miturit – Sistemi imunitar s’është zhvilluar plotësisht, ndaj sipas informacioneve ata janë më të prekshëm nga helmimi.

Njerëzit me sëmundje kronike – Njerëzit që i nënshtrohen kimioterapisë dhe ata që vuajnë nga diabeti kanë një sistem imunitar më të dobët.

Gratë shtatzëna – Shtatëzania tjetërson imunitetin, vështirëson luftën ndaj infeksioneve që prekin jo vetëm shëndetin e nënës, por të fetusit.

Çfarë duhet të bëni nëse helmoheni nga ushqimi?

Pini lëngje – Uji është i domosdoshëm për të parandaluar dehidratimin, pirja e shpejtë e lëngjeve përkeqëson të përzierat dhe të vjellat.

Ndaj pini ujë me gllënka të vogla gjatë disa orëve, nëse mundeni pini ujë të ngrohtë, edhe këtë me gllënga të vogla.

Shmangni konsumin e medikamenteve kundër diaresë, ngadalësojnë eliminimin e organizmave ose toksinave nga sistemi.

Kërkoni ndihmë mjekësore nëse:

– E vjella vazhdon për më shumë se dy ditë.

– Diarea vazhdon për disa ditë.

– Temperatura rritet mbi 38 gradë.

– Keni vështirësi në ruajtjen e ekuilibrit.

– Ndiheni konfuzë dhe keni dhimbje të forta stomaku.

Exit mobile version