Partia Demokratike e Kosovës (PDK) thotë se të dhënat në terren janë inkurajuese për këtë parti, ndërsa fton qytetarët që sa më shumë të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për medie tha se sot është dita vendimtare për të ardhmen katërvjeçare për komunat. Sipas saj, sot qytetarët kanë mundësi që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë të komunave nga vijnë.
“Sot është dita vendimtare për të ardhmen katërvjeçare të komunave tona, sot qytetarët e Republikës e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë të komunave të tyre. Këto zgjedhje lokale janë për qytetarët e jo për politikanët. I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës me të drejtë votë që të dalin dhe të votojnë të rinjtë dhe të rejat, të moshuar gra dhe burra prindërit tanë me votën e tyre sot do të fuqizojnë demokracinë dhe shtetin e Kosovës. Pjesëmarrja sa më e madhe në zgjedhje është e rëndësishme për të dhënë verdiktin demokratik se kush duhet të na udhëheqë komunat në katër vitet e ardhshme. Mbi 8 mijë aktivistit të PDK-së që janë të angazhuar në zgjedhje po na japin të dhëna inkurajuese dhe vlerësime pozitive. Shpresojmë shumë që do të kemi një ditë të mirë ku demokracia do jetë fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve”, theksoi Çitaku.
Në Kosovë sot po mbahen zgjedhjet lokale.