UBT News

Çitaku prezanton draftin e ri për Specialen, synon miratimin në Kuvend gjatë dhjetorit

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se ka pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilin ua ka prezantuar edhe anëtarëve të Grupit Strategjik për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

Në një konferencë për media, Çitaku tha se drafti është hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë, ndërsa theksoi se synimi i iniciativës është garantimi i një procesi të drejtë gjyqësor, respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe krijimi i mekanizmave të mbikëqyrjes institucionale, duke ruajtur pavarësinë e gjyqësorit.

Ajo bëri të ditur se iniciativa do të procedohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës, me synimin që të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor.

Para se drafti të dërgohet në Kuvend, Çitaku paralajmëroi takime me drejtuesit e partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, organizatat e dala nga lufta, përfaqësues të OVL-UÇK-së, shoqërinë civile, ekspertë juridikë, akademikë, diplomatë dhe përfaqësues të vendeve partnere perëndimore.

Çitaku njoftoi gjithashtu se në mbledhjen e Grupit Strategjik është miratuar strategjia për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në instancën e Apelit. Sipas saj, dokumenti është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të partive parlamentare shqiptare.

Ajo bëri të ditur se për draftin e ri ka njoftuar edhe shefin e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë për të nisur konsultimet me BE-në lidhur me ndryshimet e propozuara ligjore./A.K/

Exit mobile version