UBT News

Çitaku: PDK nuk do të lejojë që skandali me ambasadorin Berishaj të harrohet

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se ka degradim të procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe ka deklaruar se lidhur me këtë proces nuk kanë parë transparencë nga ana e qeverisë. Ajo ka kërkuar nga Qeveria seriozitet në këtë çështje, çka sipas saj, ka munguar deri tani.

Në një konferencë për media, Çitaku ka thënë se Kosova nuk mund të jetë peng i mënyrës se si sillet Serbia. Sipas saj, në rast të dështimit të procesit të dialogut, barrën duhet ta bartë Serbia dhe në asnjë mënyrë Kosova.

“Kemi një degradim të procesit, në vend se të flasim për njohjen reciproke dhe për marrëveshjen finale ne po flasim për targa, po flasim për ‘stikersa’, kemi një degradim të procesit dhe tashmë po thuhet shumë qartë edhe nga aleatët tanë perëndimorë që status quo në këtë proces shkon në dobi vetëm të Rusisë dhe forcave destruktive në rajonin tonë, andaj ne kërkojmë nga Qeveria seriozitet të cilin nuk e kemi parë deri më tani, konsistencë të cilën sërish nuk e kemi parë dhe transparencë të cilën serish nuk e kemi parë, dhe koordinim me faktorin ndërkombëtar në mënyrë që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë”, ka thënë ajo.

Para mediave, nënkryetarja e PDK-së ka folur për çështjen skandalit që lidhet me ambasadorin të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ajo ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po e amnistojnë Berishajn dhe sipas saj shumë çështje kanë mbetur pa përgjigje.

“Në një kohë kur institucionet e Republikës së Kosovës dhe diplomacia jonë dështoi ta fuste Kosovën në agjendën e ministrave të jashtëm të Këshillit të Evropës në vend se bartësit e institucioneve tona të jenë të angazhuara për fuqizimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar ata po merren me mbrojtjen e ambasadorit Berishaj, person të cilin e kanë përzgjedhur vet. Fshehja dhe mbrojtja e këtij skandali nga zyrtarët tanë më të lartë shtetërorë do ta minojë rrugën tonë drejt integrimit evropian. Partia Demokratike e Kosovës nuk do të lejojë që kjo aferë dhe ky skandal që të harrohet dhe të kalojë në heshtje. Ne do të përdorim të gjithë mekanizmat institucionalë dhe parlamentarë për tu siguruar se e vërteta do të zbardhet”, ka thënë ajo.

Çitaku ka thënë se PDK kërkon të dijë si i është dhënë me urgjencë shtetësia ambasadorit Berishaj, a janë iniciuar masa për deklarimin e rrejshëm të pasurisë, ku kanë shkuar 600 mijë euro të cilat i ka tërhequr Berishaj përmes biznesit të tij dhe si është pajisur ai me certifikatë të sigurisë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

“Presidentja dhe kryeministri nuk janë as prokurorisë e as gjyqtarë, ata duhet të ndërmarrin hapa politikë dhe institucionalë dhe ta kthejnë zotëri Berisha nga detyra menjëherë duke u hapur rrugë institucioneve të drejtësisë ta thonë fjalën e tyre”, ka thënë ajo.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ishte përfshirë në një skandal pastrimi parash në Slloveni. Të dhënat ishin publikuar nga një medium slloven në prag të zgjedhjeve atje. Pozita e ka mbrojtur duke thënë se nuk ka prova që e përfshijnë Berishajn në këtë skandal dhe e gjithë ka qenë në kuadër të një fushatës elektorale. Vet Berishaj kishte mohuar se ka gisht në këtë skandal. 

Exit mobile version