Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku tha se Kosova është shumë më e madhe se egoja e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti. Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit edhe për të 37-tën herë, ajo tha se kjo situatë është e papranueshme.
Para mediave, sekretarja e përgjithshme e PDK-së u shpreh se deklarimet e kryeministrit në detyrë janë qersharake.
“Sërish ishim dëshmitarë të shpërfaqjes së pa përgjegjësisë politike, qytetare, të subjektit të parë parlamentar. Kjo gjendje, kjo situatë është tërësisht e papranueshme. Mirëpo, në këtë pikë të bllokadës së plotë jemi si rezultat i kryeneçësisë, e papërgjegjësisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit. Madje, madje dëgjojmë edhe deklarime qesharake, ku gjoja thuhet se i kanë numrat për qeveri, por nuk i paskan numrat për kryeparlamentare. Kjo situatë s’do koment, është papërgjegjësi. I bëjmë thirrje kryetarit të LVV-së që të reflektojë. Kosova është shumë më e madhe dhe shumë më e rëndësishme se egoja e tij”, deklaroi Çitaku.
Ka dështuar për të tridhjeteshtatën (37) herë konstiuimi i Kuvendit të Kosovës. Seanca e radhës është caktuar të premten (më 27 qershor) në ora 11:00.