UBT News

Çitaku: Mehaj duhet të jap disa përgjigje në letrën e tij të dorëheqjes

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku deklaroi se shumë ministra të Qeverisë Kurti nuk duhet të kenë as komoditetin e dorëheqjes. Sipas saj, shumë nga anëtarët e kabinetit qeveritar janë nën hetime dhe janë të përfshirë në afera të shumta. Pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, ajo tha se i njëjti duhet të përgjigjet në disa pyetje, ku pretendohet se ka pasur mospajtime deri në përplasje fizike.

Në konferencë për media, Çitaku u shpreh se ish-ministri i Mbrojtjes duhet të tregojë se çfarë ka ndodhur me mjetet e Fondit të Sigurisë.

“Kryeministri ka shumë ministra që janë nën hetime, që kanë shkelur kushtetutën, që janë të përfshirë në afera të shumta, të cilët ai do duhej shkarkuar. E të cilëve nuk do të duhej dhënë as komoditeti i dorëheqjes. Për ministrin Mehaj nuk i dimë detajet, mirëpo ai ka nevojë që të jap disa përgjigje para se të largohet. Çfarë ka ndodhur me Fondin e Sigurisë, ku kanë shkuar ato mjete, cila është arsyeja e vërtetë e largimit të tij, a janë të vërteta pretendimet se ka pasur mospajtime deri në përplasje fizike brenda ambienteve të Ministrisë së Mbrojtjes. Ka shumë pyetje të cilave ministri Mehaj do duhej dhënë përgjigje në letrën e tij të dorëheqjes”, deklaroi ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kuurti ka njoftuar se ka emëruar kolonelin e FSK-së, Ejup Maqedonci në pozitën e ministrit të Mbrojtjes. Ai ka thënë se pranuar dorëheqjen e ministrit të deritanishëm Armend Mehaj, e cila sipas tij është bërë për shkaqe familjare. 

Exit mobile version