Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, komentoi kërcënimin e sotëm me bombë në Kuvendin e Kosovës, i cili fatmirësisht doli të jetë i rrejshëm. Megjithatë, ajo theksoi se prirjet totalitare të Lëvizjes Vetëvendosje përbëjnë rrezik më të madh për vendin.
“Po aq sa janë të rrezikshme dhe të trishtueshme sulmet që po i bëhen Kuvendit nga jashtë, qoftë me kërcënime të rrejshme, në aq e mos më shumë janë të rrezikshme prirjet totalitare që i kemi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe përpjekjet e tyre të vazhdueshme, tashmë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, për të përmbysur rendin kushtetues,” tha Çitaku teksa hynte në sallën e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive.