Ditëve të fundit, Kosova u përball me reshje të shumta të shiut, të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e njerëzve dhe veturave. Madje shumë zona u përballën edhe me vërshime.
Profesori universitar, Hazir Çadraku, në një prononcim për UBTNews tregon se cilat zona në Kosovë janë më të rrezikuara nga vërshimet.
“Në aspektin e përgjithshëm territorial të vendit tone, zonat më të ndishme janë ato afër luginave lumore ose ato vendbanime që ndodhen në afërsi të këtyre luginave. Natyrisht Kosova karakterizohet kryesisht me lumenj të tipit rrëke, të cilët aktivizohen në momentin ose fazën e parë kur kemi një intensitet të shtuar të reshjeve”, deklaroi ai.
Në Kosovë fatmirësisht pasojat e këtyre vërshimeve janë vetëm me dëme materiale.
“Te ne zakonisht manifestohen me dëme materiale, fatmirësisht do të thotë që manifestohen me dëme materiale të cilat janë të rikuperueshme dhe nuk kemi shumë fatalitete ose vdekje nga këto dukuri natyrore”, deklaroi ai.
Çadraku vlerëson se pavarësisht monitorimit të rregullt që bëhet nga institucionet, nuk po arrihet të bëhet përcaktimi i saktë për kohën dhe zgjatjen e të reshurave.
“Natyrisht se bëhen monitorime në shkallë vendi mirëpo asnjëherë nuk arrijmë që saktësisht ta përcaktojmë se kur ndodhin, sa ndodhin dhe sa do të zgjasin”, shtoi ai.
Reshje të intensitetit të tillë pritet të ketë përgjatë gjithë javës në Kosovë./UBTnews/
Realizoi: Fjolla Gashi