Prodhimi i kafesë në të gjithë Bashkimin Evropian (BE) ka shënuar një rritje prej 15% në dekadën e fundit, sipas të dhënave të reja nga Eurostat. Në vitin 2023, çdo qytetar i BE-së konsumoi rreth 5 kg kafe.
Prodhimi i përgjithshëm, përfshirë produktet e kafesë, arriti në mbi 2 milionë tonë vitin e kaluar, me një vlerë prej 13 miliardë eurosh. Italia kryeson listën e prodhuesve, duke kontribuar me një të katërtën (25%) të kafesë së BE-së, e ndjekur nga Gjermania (22%), Franca (6%) dhe Holanda (6%).
Nga ana tjetër, BE gjithashtu importon rreth 2.7 milionë tonë kafe çdo vit, me vlerë 10.6 miliardë euro. Gjermania është blerësi më i madh, duke e blerë një të tretën (33%) të kafesë, e ndjekur nga Italia (23%), Belgjika (10%), Spanja (9%) dhe Franca (7%).
Majoriteti i importeve të kafesë në BE vitin e kaluar erdhi nga Brazili, me 921,900 ton (34% e totalit të importeve jashtë BE-së). Vietnami kontribuoi me 24%, ndërsa Uganda me 8%.
Megjithatë, një ligj i ri i BE-së që pritet të hyjë në fuqi në vitin 2025 mund të ndryshojë drastikisht këtë panoramë, duke i detyruar prodhuesit e kafesë të provojnë se zinxhiri i tyre i furnizimit nuk shkakton shpyllëzim. Sipas të dhënave të publikuara nga qeveria franceze, kafeja ka një potencial të lartë shpyllëzimi.
Raporti paralajmëron se, si importuesi më i madh në botë i kafesë, BE-ja është përgjegjëse për 44% të shpyllëzimit të lidhur me kafenë./UBTNews/