Më 28 shkurt, Tirana ishte nikoqire e samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore”. Mesazhet kryesore që u përcollën aty ishin që të vazhdohet ndihma ushtarake dhe financiare për Ukraninën, po njëkohësisht edhe u paralajamëruan rreziqe për Ballkanin Perëndimor nga Rusia.
Me iniciativën e Ukrainës, një temë tjetër që gjatë atij samiti u diskutua ishte edhe çështja e bashkëpunimit të saj me shtetet e Ballkanit Perëndimor sa i përket bashkëprodhimit të municioneve.
Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Drizan Shala një bashkëpunim i tillë do të sillte përfitime për Shqipërinë.
“Ndërsa në anën tjetër, Shqipëria duke përfituar patjetër një subvencion në kontekstin financiar në përbërje me shtetet e bashkimit të aleancave euroatlantike, kanë në pakon e tyre rreth 600 milionë dollarë të cilët do të përdoren për modernizim, furnizim me mjete ushtarake dhe një kapje e tillë e shumave të caktuara do të kishin pasur një impakt të drejtpërdrejt në kontekstin edhe ekonomik, politik dhe asaj ushtarak”, deklaroi ai për UBTNews.
Në anën tjetër, Shala thotë kjo do të mund të sillte edhe rreziqe për shtetin shqiptar.
“Sa i përket rrezikshmërisë ne mund të konstatojmë se do të bëhet target tanimë i strukturave ruse, por njëkohësisht do të tentohet, kemi edhe sabotime në formate të ndryshme. Mund të konstatojmë për paqe do të jetë target rus padyshim. Me garancë të plotë do të jetë target edhe i shërbimeve serbe, të cilët e shohin këtë si goditje për ekonominë dhe industrinë ushtarake të saj sepse deri më tani Serbia ka përfituar rreth 800 milionë dollarë në kontekstin e suportimit luftarak për dy vjetët e fundit për ushtrine ukrainase, pra 800 milionë më pak te xhirollogaritë shtetërore të shtetit të Serbisë de-facto do të bëjë që Shqipëria, Tirana të jetë target edhe nga struktura të inteligjencës të shtetit serb”, deklaroi ai tutje.
Në fund Shala u shpreh se bashkëprodhimi i armëve me Ukrainën, do të ndikonte pozitivisht edhe për Kosovën. Kjo për faktin se Shqipëria do të mund të furnizonte Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës me teknologjinë e nevojshme që në të ardhmen të prodhoj vet municione. Atëherë kur FSK edhe e përmbyll procesin e saj të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës në vitin 2028./UBTNews/
Realizoi: Dea Berisha