Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse.
Psikologia Rrezarta Musliu nga Shoqata e Autizmit të Kosovës në një intervistë për “UBT Media”, tregoi se autizmi shfaqet që nga mosha e hershme, teksa dha detaje se cilat janë simptomat e fëmijëve autik.
“Prej moshës 18-mujore veç del në pah që zhvillimi i fëmiut nuk po përkon me një zhvillim tipik, e disa nga simptomat janë: kur i thërrasin në emër nuk reagojnë, shmangin kontaktin me sy, kanë sjellje të përsëritura, s’kanë ndërveprim shoqëror, iu mungon gjuha verbale (gjuha e të shprehurit), kur kërkojnë diçka e kërkojnë në mënyrë të çrregullt, munden me qajt, e forma të tjera”, deklaroi ajo.
Sipas saj, fëmijët me autizëm mund të identifikohen prej moshës 1-3 vjeç.
Psikologia Musliu njoftoi se nuk ka statistika të mirëfillta rreth numrit të personave me autizëm në Kosovë, ndërkohë që adresoi kritika ndaj institucioneve që nuk po punojnë në këtë drejtim./UBTNews