Frymëmarrja mund të varet nga probleme dhe faktorë të ndryshëm.
Le të zbulojmë se cilat janë ato dhe çfarë të bëjmë kur simptomat rriten, shkruan melarossa.it.
Mungesa e frymëmarrjes quhet nga mjekët si dispne. Kjo vështirësi në frymëmarrje manifestohet përmes simptomave shumë specifike si ndjenjë peshe në gjoks, ndjenjë e pamundësisë për të marrë frymë, takikardi e tjerë.
Për sa i përket kohës dhe kohëzgjatjes, problemet e frymëmarrjes mund të ndodhin gradualisht ose papritmas. Mund të jenë të përkohshme, por disa ankohen edhe për frymëmarrje kronike.
Shkaqet mund të jenë të ndryshme, nga çrregullime pulmonare apo kardiake, deri te sëmundjet e mundshme neurologjike, endokrine apo edhe psikiatrike.
Megjithatë, ajo karakterizon edhe njerëzit e shëndetshëm që kryejnë, për shembull, aktivitet fizik intensiv.
Çfarë është vështirësia në frymëmarrje?
Është ajo ndjenjë e pakëndshme e “urisë për ajër” ose vështirësi në frymëmarrje (ose dispne në terma mjekësorë) që mund të shfaqet papritur ose gradualisht, edhe si simptomë e sëmundjeve të ndryshme.
Por, si manifestohet?
Zakonisht është një perceptim i pakëndshëm i përshkruar si:
- Frymëmarrje e shkurtër.
- Frymëmarrje e vështirë.
- Ndjenja e shtrëngimit ose rëndimit në gjoks.
- Pamundësia për të marrë frymë thellë.
Në praktikë, ka një ndryshim midis kërkesës së trupit tonë për oksigjen dhe aftësisë së trupit për t’iu përgjigjur kësaj nevoje.
Si shkaktar i parë mund të mendohen çrregullimet pulmonare ose kardiake, por nuk mund të përjashtohen gjendjet e mundshme të ankthit.
Kjo sindromë më së shpeshti shkaktohet nga ankthi dhe jo nga vetë problemi fizik.
Shkaku më i zakonshëm janë sulmet e panikut, stresi, zemërimi ose gjendjet depresive, por hiperventilimi mund të jetë gjithashtu një simptomë e sëmundjeve të tjera (si sëmundjet e zemrës ose të mushkërive) ose të ndodhë pas marrjes së barnave të caktuara./ ATSH/