Përdorimi i antibiotikëve është ulur ndjeshëm në Kosovë. Megjithatë këto medikamente mjekësore vazhdojnë të përdoren në masë të konsiderueshme.
Profesori universitar, Fitim Alidema thotë se janë edhe vetë pacientët ata të cilët insistojnë të marrin këto barna.
Por cilat janë pasojat e përdorimit të tepruar të antibiotikëve?
“Pasojat i kemi të një game të gjerë, antibiotikët kanë një sërë efektesh anësore, duke filluar nga reaksionet alergjike që i takojnë pjesës sipërfaqësore lëkurore, florën normale të zorrës për shkak të përdorimit të vazhdueshëm të antibiotikëve”, deklaroi ai për UBTNews.
E kryeqyteti është vendi i cili abuzon më shumti me antibiotikë.
“E vërejmë se një pjesë e madhe e popullatës nuk e ka themi atë edukatën mjekësore me dit saktë se kur duhet me marr, dhe një pjesë e madhe akoma jane abuzues. Kryesisht në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan dhe kemi një keqpërdorim më të madh në kryeqytet”, shtoi ai.
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, në shtator të vitit të kaluar kishte publikuar Udhëzuesin për Përdorimin e Antibiotikëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor. Fokusi i tij është në përdorimin e drejtë të antibiotikëve./UBTNews/
Realizoi: Fjolla Gashi