Niveli i inteligjencës nuk është një vlerë fikse dhe e pandryshueshme dhe sipas ekspertëve, ai ndikohet nga stili i jetesës dhe zakonet që ndjekim çdo ditë.
Nëse keni bërë dy teste inteligjence e keni marrë rezultate të ndryshme, kjo ndodh sepse aftësitë mendore ndryshojnë nga dita në ditë.
Këto janë disa prej zakoneve të përditshme që, sipas kërkimeve shkencore, mund të rrisin inteligjencën tuaj:
Flini mjaftueshëm: Gjumi i mirë – zakonisht më shumë se 7 orë në natë – është i lidhur me përmirësimin e funksioneve njohëse dhe kujtesës. Edhe pse nevojat për gjumë ndryshojnë nga personi në person, pushimi i mjaftueshëm është thelbësor për shëndetin e trurit.
Mësoni diçka të re çdo ditë: Edhe vetëm 10 minuta në ditë të dedikuara për të mësuar diçka të re – si një fakt historik, një recetë të re ose një aftësi të re – stimulojnë zhvillimin e neuroneve të reja.
Meditoni: Praktika e meditimit është treguar se përmirëson përqendrimin, vetëdijen dhe redukton stresin, duke ndikuar pozitivisht në performancën mendore.
Fokusohuni në një gjë në një kohë: Multitasking nuk është gjithmonë produktiv. Përkundrazi, përqendrimi në një detyrë të vetme përmirëson cilësinë e mendimit dhe efikasitetin.
Lexoni rregullisht: Leximi ndihmon në zhvillimin e të menduarit kritik, përqendrimit dhe zgjeron njohuritë në mënyrë të vazhdueshme.
Ushtrimet fizike: Aktiviteti fizik përmirëson qarkullimin e gjakut dhe ndihmon në uljen e stresit – të dyja këto janë të rëndësishme për funksionimin optimal të trurit.
Luani lojëra stimuluese: Lojërat që kërkojnë strategji e logjikë si enigma, shah a lojëra tavoline ndihmojnë në stërvitjen e trurit.
Qëndroni në kontakt me diellin: Marrja e mjaftueshme e vitaminës D ndihmon në përmirësimin e humorit dhe funksioneve mendore. Megjithatë, shumë njerëz vuajnë nga mungesa e saj, veçanërisht gjatë dimrit.
Zbatimi i zakoneve jo vetëm që përmirëson funksionet e trurit, por ndihmon në krijimin e një jetese më të balancuar dhe të shëndetshme. /UBT News/