Banorët në veri të Zelandës së Re po përgatiten për një natë të ashpër pasi cikloni Gabrielle goditi vendin me shira të rrëmbyeshëm dhe erëra.
Të paktën 46 mijë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e stuhisë, dhe qindra fluturime janë anuluar.
Në nëntë rajone është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, duke prekur gati një të tretën e popullsisë 5.1 milionëshe.
Stuhia pritet të arrijë kulmin të hënën mbrëma me përmbytje të vazhdueshme deri të martën.
Në qytetin më të madh të Zelandës së Re, Auckland, autoritetet më herët evakuuan njerëzit nga 50 shtëpi rreth një kulle 30 metra të lartë që rrezikohej të shembej, raportuan mediat lokale. Në qytet janë ngritur gjithashtu dhjetëra qendra evakuimi.
Cikloni Gabrielle po godet veriun e Zelandës së Re vetëm disa javë pasi Auckland dhe zonat përreth pësuan reshje rekord shiu dhe përmbytje që lanë të vdekur katër persona./UBTNews/