Dy persona u ngjitën në majën e ndërtesës ikonike Empire State Building në Nju Jork, ku shpalosën një banderolë me mesazhin: “Kur fuqia e dashurisë mposht dashurinë për pushtetin, bota njeh paqen.”
Sipas Reuters, bëhet fjalë për rusët Angela Nikolau dhe Ivan Kuznetsov, i njohur edhe si Vanya Beerkus, të cilët njihen për ngjitjet e tyre në rrokaqiej dhe struktura të larta në vende të ndryshme të botës. Historia e tyre është dokumentuar edhe në filmin e Netflix “Skywalkers: A Love Story”, i publikuar në vitin 2024.
Pas zbritjes nga maja e ndërtesës, çifti u arrestua nga Policia e Nju Jorkut dhe përballet me disa akuza, përfshirë hyrje të paligjshme, rrezikim të jetës dhe shkelje të masave të sigurisë.
Menaxhmenti i Empire State Building e cilësoi incidentin si një hyrje të paautorizuar, duke theksuar se ngjarja nuk ka rrezikuar vizitorët apo stafin e ndërtesës.
Sipas raportimeve, para se të nisnin zbritjen, Ivan Kuznetsov i propozoi martesë partneres së tij, Angela Nikolau, e cila pranoi, duke e kthyer aksionin simbolik në një moment personal që mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale.
Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të zbuluar se si çifti arriti të anashkalonte masat e sigurisë dhe të ngjitej në majën e kullës 443 metra të lartë, një prej monumenteve më të njohura të Nju Jorkut./A.K/
