Italia u përgatit për mot më ekstrem të enjten me stuhinë Ciaran që do të mbërrijë në veriun e vendit pasi ende numëron dëmet pas shiut të rrëmbyeshëm dhe erërave të fuqishme që shkaktuan përmbytje, rrëshqitje dheu dhe ndërprerje të mëdha elektrike në shumë zona këtë javë.
Vendi u godit nga moti ekstrem të martën kur lumi Seveso në Milano dhe liqeni Como dolën nga brigjet e tyre.
Stuhia Ciaran parashikohet të mbërrijë në Itali pasi goditi Britaninë, Spanjën, Belgjikën, Holandën dhe Francën, ku mori një jetë.
Fronti i stuhisë, me erëra mbi 90 km/h, pritet të sjellë “reshje gjithnjë e më të bollshme”, tha faqja e internetit iLMeteo.it.
Shkencëtarët thonë se kriza klimatike e shkaktuar nga emetimet e gazrave serrë të njeriut po i bën më të shpeshta dhe më intensive ngjarjet ekstreme të motit si valët e të nxehtit, thatësira, stuhitë e mbingarkuara dhe përmbytjet. /ANSA