UBT News

Chris Brown urdhërohet të paguajë 12.9 milionë dollarë pasi u shpall përgjegjës për sulmin e qenit ndaj pastrueses

Këngëtari amerikan Chris Brown është shpallur përgjegjës nga një gjykatë në Los Angeles për një sulm të rëndë të qenit ndaj pastrueses së shtëpisë së tij në vitin 2020 dhe është urdhëruar të paguajë 12.9 milionë dollarë dëmshpërblim.

Vendimi u mor pas një gjykimi dyjavor, ku juria vendosi në favor të Maria Avila, e cila u sulmua nga një qen i racës Caucasian Shepherd, me peshë rreth 90 kilogramë, teksa po nxirrte mbeturinat në rezidencën e Brown në Tarzana të Kalifornisë.

Sipas padisë, sulmi i qenit i shkaktoi Avilas lëndime të rënda, duke i shqyer pjesë të mëdha të lëkurës dhe duke i lënë plagë të përhershme në fytyrë, dëmtime në shikim, dëmtime nervore dhe shenja të rënda në trup.

Gjatë procesit gjyqësor u tha se, në vend që të thërriste shërbimet e emergjencës ose t’i ofronte ndihmë të plagosurës, Brown ishte larguar nga vendi i ngjarjes me këshillën e menaxherit të tij, nga frika se prania e tij do të shkaktonte një “cirk mediatik”.

Vetë këngëtari pranoi se mbante një pjesë të përgjegjësisë, por kundërshtoi shkallën e lëndimeve të Avilas dhe argumentoi se ajo mbante një pjesë të fajit për incidentin. Ai deklaroi se qeni përdorej për arsye sigurie dhe nuk ishte kafsha e tij personale, ndërsa pretendoi se i kishte paralajmëruar punonjëset të mos afroheshin pranë qenve pa praninë e rojeve të sigurisë.

Megjithatë, Maria Avila dhe motra e saj e mohuan se kishin marrë një paralajmërim të tillë, duke theksuar se një bisedë e tillë do të kishte qenë e vështirë edhe për shkak të barrierës gjuhësore.

Si rezultat i vendimit, Chris Brown dhe kompania e tij Black Pyramid LLC do të duhet t’i paguajnë Avilas 12.9 milionë dollarë dëmshpërblim për neglizhencë./BBC//A.K/

Exit mobile version