Nëse përdorni ChatGPT përmes WhatsApp-it, është koha të mendoni për alternativa. OpenAI ka njoftuar se chatbot-i i saj i njohur nuk do të jetë më i disponueshëm në platformën e Meta-s duke filluar nga 15 janari 2026.
Sipas kompanisë, vendimi lidhet me ndryshime në politikat dhe kushtet e reja të përdorimit të WhatsApp-it.
“Edhe pse do të donim të vazhdonim t’ju shërbenim në WhatsApp, jemi të fokusuar që tranzicioni të jetë sa më i lehtë për të gjithë përdoruesit,” thuhet në njoftimin e OpenAI.
Në njoftim theksohet gjithashtu se WhatsApp nuk mbështet eksportimin e bisedave, ndaj përdoruesit nuk do të kenë një mënyrë automatike për t’i transferuar ato pas afatit të caktuar. Megjithatë, ekziston një zgjidhje për ruajtjen e historisë së bisedave.
“Në profilin e kontaktit 1-800-ChatGPT në WhatsApp, do të gjeni opsionin për të lidhur llogarinë tuaj ChatGPT. Pasi ta zgjidhni këtë, të gjitha kërkesat tuaja në WhatsApp do të lidhen me historinë tuaj të ChatGPT,” shpjegon OpenAI.
Sipas raportimeve, Meta është e fokusuar në zhvillimin e inteligjencës artificiale, përdoruesit e ChatGPT brenda WhatsApp-it – rreth 50 milionë persona – nuk pritet të kenë ndikim të madh në strategjinë e saj të re, çka mund të jetë një nga arsyet e këtij vendimi. /A.Z/UBT News/
