Së fundmi është zbuluar një anë e panjohur deri më sot e jetës së aktorit të famshëm Charlie Sheen – ai ka qenë një nga filantropët më të mëdhenj të Hollywood-it.
Aktori festoi 60-vjetorin e lindjes, e shpejt pritet të publikohet autobiografia e tij si dhe një dokumentar në Netflix kushtuar jetës së tij, ku me gjasë do të trajtohen me detaje të gjitha ngritjet dhe rëniet e tij, shkruan TMZ.
Edhe pse vitet e fundit është përballur me vështirësi financiare, burime pranë aktorit zbuluan se gjatë periudhës më të suksesshme kur fitonte shuma të mëdha nga“Two and a Half Men” – Sheen ka dhuruar mes 26 dhe 30 milionë dollarë (respektivisht 22.2 dhe 25.7 milionë euro) për organizata të ndryshme bamirësie.
Donacionet e tij janë fokusuar në kauza të rëndësishme, përfshirë organizatën Autism Speaks, financimin e kërkimeve për kancerin, si dhe ndihma për personat pa strehë. Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë histori është se publiku nuk ka qenë në dijeni për këto gjeste bujare.
Burime të afërta me të tregojnë se donacionet janë bërë në mënyrë anonime, kjo ka qenë kërkesë e drejtpërdrejtë e Sheen.
Ai nuk ka dashur vëmendje mediatike apo lavdërime për veprimet e tij, por ka dhuruar vetëm për bindje personale. Madje, aktori i kishte paralajmëruar anëtarët e ekipit të tij të mos flisnin kurrë publikisht për këto gjëra.