Hipoglicemia quhet sëmundja që prek nivelin e sheqerit dhe glukozës në trup. Kjo konsiderohet si e kundërta e diabetit, pasi ul poshtë normave të lejuara nivelin e sheqerit në gjak.
Sëmundja shfaqet kur këto nivele bien nën shifrën 70mg/dl dhe mund të kthehet në një rrezik të vërtetë për jetën.
Efektet anësore të kësaj sëmundje janë thuajse të menjëhershme, duke shkaktuar lodhje, dhimbje koke, marramendje apo rrahje të larta zemre.
Si shumë gjendje të trupit edhe kjo ndikohet ngushtë nga ushqimi dhe stili i jetesës.
Ndiqini më poshtë të gjitha këshillat për dietën perfekte kundër hipoglicemisë.
Mëngjesi
Gjatë natës kur flini, nivelet e sheqerit në gjak bien, për këtë arsye këshillohet që mëngjesi të konsumohet direkt pasi jeni zgjuar. Në këtë mënyrë trupi do të marrë energjinë e nevojshme nga ushqimet, pa pasur nevojën që të shterojë të gjithë glukozën e mbetur.
Sigurisht duhet të filloni me ushqime të shëndetshme që përmbajnë shumë vitamina.
Në mëngjes konsumoni vezë të ziera, drithëra, kos, mjaltë apo fruta të ndryshme të stinës.
Frutat e pyllit janë një ndër kombinimet më të mira të sheqerit të shëndetshëm, antioksidantëve dhe vitaminave për trupin tuaj.
Dreka
Dreka këshillohet të jetë e lehtë, por e mbushur me proteina yndyrna dhe karbohidrate të shëndetëshme. Fokusohuni tek mishi i pulës, sallata, patatet e ëmbla dhe perimet e ndryshme të stinës.
Karbohidrate të tjera mund të merrni nga buka, zgjidhni ato që përmbajnë shumë lloje drithërash në përbërjen e tyre.
Mjekët rekomandojnë shumë edhe konsumimin e peshkut si sardelet dhe peshku ton i shoqëruar me sallatë apo perime.
Darka
Në darkë zgjidhni karbohidrate dhe proteina që përfshijnë bishtajorët, sallatën, mishin e pulës apo orizin. Nëse ndiheni të uritur, atëherë duhet të konsumoni një ushqim të pasur me glukozë siç janë petullat dhe frutat.
Lëngjet e frutave janë gjithashtu të rekomandueshme./AgroWeb.org