Policia e Kosovës, në raportin e saj ditor, ka njoftuar për një varg zhvillimesh në vend, në fushën e sigurisë.
Një lëndim i rëndë trupo u njoftua se ka ndodhur në Fushë Kosovë. Katër persona të panjohur kanë sulmuar fizikisht dy meshkuj kosovarë, ku njëri nga viktimat ishte i therur me thikë. Viktima është dërguar në QKUK, ndërsa rasti është duke u hetuar.
Në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë është arrestuar një i dyshuar, për shkak të dyshimit për kryerje të veprës së ngacmimi ndaj viktimës femër kosovare. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një rast i vjedhjes është raportuar në fshatin Abri e Epërme të Gllogocit. Aty është raportuar se viktimës nga vetura i janë vjedhur dy targa. Në konsultim me prokurorin është inicuar lënda e rastit, e cila vazhdon të hetohet.
Në Prishtinë ka ndodhur aksident në trafik në të cilin kanë qenë të përfshira dy vetura. Si pasojë e aksidentit janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale dhe nuk ka pasur të lënduar.
Në Bresje të Fushë Kosovës është raportuar se viktima është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më. Rasti është duke u hetuar.
Një person i zhdukur është raportuar në Gjilan. Sipas policisë, viktima femër prej datës 29.01.2026 ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj. Në konsultim me prokurorin është inicuar lënda e rastit e cila vazhdon të hetohet.
Në Kaçanik janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj, dy prej tyre shtetas të Serbisë dhe tre kosovarë, pasi dyshohet se kanë tentuar të kryenin vjedhje në një argjendari. Dy të dyshuarit meshkuj serb nga njësitë policore janë kapur në flagrancë duke e kryer veprën. Në vendin e ngjarjes si dëshmi janë gjetur dhe konfiskuar: një shufër metali, një palë dana, pesë çelësa të ndryshëm, tri kaçavida, një skallper dhe dorëza. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Në Prizren është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar 5.14 gram substancë narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Po në Prizren është shoqëruar në stacion policor i dyshuari mashkull kosovar pasi që tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Në Rahovec, raportohet se viktima mashkull është lënduar aksidentalisht duke prerë një lis, dhe i njëjti është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjakovës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Në fshatin Rogovë, vozitësi, shtetas i huaj, dyshohet se nga pakujdesia ka shkaktuar vetaksident trafiku. Përveç dëmeve materiale, lëndime trupore ka pësuar pasagjeri mashkull shtetas i huaj i cili është duke u trajtuar në Spitalin e Gjakovës.
Në Vaganicë të Mitrovicëa, është arrestuar i dyshuari mashkull nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje ka qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Spitalin e Mitrovicës. Pistoleta me dy fishekë është konfiskuar si provë materiale që dyshohet se është përdorur në rast. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
