UBT News

Çfarë pasojash mund të kenë deklaratat e Bislimit për mundësinë e një sulmi të ngjashëm sikurse ai i 24 shtatorit?

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ditë më parë për një media ukrainase ka deklaruar se Kosova mund ta ketë prapë fatin e 24 shtatorit të vitit të kaluar.

Andaj sipas tij vendi ynë duhet të jetë i gatshëm. Duke iu referuar ngjarjeve të ndodhura në Banjskë, ai tha se tashmë ka arsye për të besuar se Rusia ishte e përfshirë në sulmin e ndodhur.

Politologu Fidan Ukaj për UBTnews komentoi deklaratën e Bislimit. Deklaratat e tilla ai i quan të pamatura dhe me mundësi pasojash.

“Kemi dëgjuar deklarata të pa matura edhe nga ana e kryeministrit të Kosovës që mendoj se mund të jenë reale deklaratat e tilla, mirëpo ndarja e këtij deklarata me opininon publik ose përmes opinionit publik mendoj që nuk i bëjnë nder po ashtu i bëjnë dëm Kosovës, imazhit të Kosovës edhe për arsyejen sepse investitorët që dëshiron të ivenstojë në Kosovë, kur dëgjon deklarata të tilla nga i pari i qeverisë sigurisht asnjë investitor nuk është i gatshëm pasurinë e vetë apo investimin e vetë të investoj me një vend i cili ka probleme të sigurisë”, deklaroi ai.

Ndërkohë njohësi i çështjeve të sigurisë të vendit, Fadil Kajtazi, thotë se duhet pasur kujdes në këso deklarata.

“Këto deklarata, këto prononcime të këtij niveli të zëvendëskryeminisrit kanë peshën e vetë, dhe do duhej të jenë të kujdesshme, kur përmendën dhe kur përdoren për arsyeje se një prononcim i tillë do duhej të ishte në atë fazë kur shteti veq ka shpallur gjendjen e mobilizimit, është dihet agresori potencial, janë marrë masat e para dhe të sforcifikmeve të logjistikës, të zhvendosjes të strukturave shtetërore në vendet sekrete”, tha ai.

Kajtazi foli edhe për rolin e politikës së jashtme, që duhet ketë në këso temash.

“Kosova do duhej të filloj seriozisht të mendoj për politikën e saj të jashtme që është faktori i parë i politikës së sigurisë nacionale për politikën ekonomike që është faktori i dytë strategjik i politikës nacionale dhe për faktorin e tretë që është politika e mbrojtjes. Mirëpo ajo çka është duke ndodhur në vitet e fundit është se Kosova ka humbur shumë nga ajo që ka qenë e fort nga politika e jashtme, dhe se fatkeqësisht që tri vite nuk kemi politikë të jashtme të Kosovës”, deklaroi Kajtazi.

Në shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku për pasojë mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku./UBTNews/

Realizoi: Dea Berisha

Exit mobile version