UBT News

Çfarë nënkupton vendimi i Putinit për të pezulluar pjesëmarrjen në traktatin nuklear me SHBA-në?

Presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi sot se do të pezullojë pjesëmarrjen e vendit të tij në traktatin e ri të reduktimit të armëve bërthamore, që njihet si START, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vënë në rrezik traktatin e fundit të mbetur që rregullon dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë. Putin i dha këto deklarata gjatë fjalimit të tij vjetor në Asamblenë Kombëtarë.

Traktati vendos kufizime në numrin e armëve bërthamore të vendosura me rreze ndërkontinentale që mund të kenë si SHBA ashtu edhe Rusia. Ky traktat u zgjat për herë të fundit në fillim të vitit 2021 për pesë vjet, që do të thotë se të dy palët së shpejti do të duhet të fillojnë negociatat për një marrëveshje tjetër për kontrollin e armëve.

Sipas këtij traktati, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusia lejohen të kryejnë inspektime në vendet e armëve të njëra-tjetrës, megjithëse inspektimet ishin ndërprerë që nga viti 2020 për shkak të pandemisë COVID-19.

Edhe pse Rusia nuk po tërhiqet plotësisht nga ky pakt, duket se po zyrtarizon pozicionin e saj aktual. Për muaj të tërë, zyrtarët amerikanë u irrituan për mungesën e bashkëpunimit nga ana e Rusisë në kuadër të kësaj marrëveshjeje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e quajti vendimin e Putinit “për keqardhje dhe të papërgjegjshëm”.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Rusia tashmë kishte refuzuar në shumë raste inspektimet e objekteve të saj bërthamore.

“Rusia nuk është në përputhje me detyrimin e saj sipas Traktatit të Ri, START, për të lehtësuar aktivitetet e inspektimit në territorin e saj”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA gjatë muajit janar./UBTNews/

Exit mobile version