Në tragjedinë e përditshme që përjeton Palestina, mes rrënojave dhe dhimbjes së pashuar, historia e dy fëmijëve të kapur nga objektivi i fotoreporterit Ahmed Younis është bërë një simbol shprese.
Pak ditë më parë, një fotografi e tij preku botën dhe u bë virale në rrjetet sociale. Ajo tregon një djalë të vogël me lot në sy, që mbante mbi supe vëllain më të vogël, duke u larguar nga shtëpia e tyre e shkatërruar në Gaza.
Ky moment rrëqethës ilustron peshën e padurueshme të luftës mbi supet e pafajshme të fëmijëve.
Ahmed Younis shkroi për atë skenë: “Një fëmijë mban vëllain e tij më të vogël në rrugën e gjatë të zhvendosjes nga Gaza Veriore në Jug, një pamje që tregon koston e tmerrshme humanitare të luftës mbi civilët.”
Disa ditë më vonë, Younis publikoi një tjetër fotografi, ku të njëjtit fëmijë shihen duke qeshur dhe duke luajtur së bashku. Ky kontrast i fortë me imazhin e parë dëshmon fuqinë e jetës dhe aftësinë për të gjetur momente lumturie edhe në mes vuajtjes.
“Jadoua dhe Khaled nga zhvendosja, tek një moment i këndshëm,” shkroi Younis.
Në foton e parë, Jadoua mbante vëllain mbi supe, përmes rrugëve të ashpra të zhvendosjes, një pamje që preku zemrat e njerëzve në të gjithë botën dhe u bë simbol i fëmijërisë që mban barrën e luftës.
Në imazhin e dytë, ata buzëqeshin si çdo fëmijë tjetër, duke na kujtuar se çdo fëmijë meriton të jetojë fëmijërinë e tij pa frikë.
Midis dy imazheve shtrihet historia e një brezi që mbijeton përmes dashurisë dhe solidaritetit, një mësim i fuqishëm për humanitetin. /A.Z/UBT News/