UBT News

Çfarë ndodh në tru kur Alzheimeri na bën t’i harrojmë të dashurit?

Shpesh, vështirësia për të njohur njerëzit e afërt — një simptomë karakteristike e sëmundjes së Alzheimerit mund të lidhet me dëmtimin e rrjeteve mbrojtëse që rrethojnë neuronet në tru, sipas një ekipi kërkimor.

Studiuesit theksojnë se disa ilaçe, të cilat aktualisht po testohen për trajtimin e tumoreve dhe artritit, mund të kenë potencialin të rikthejnë këto struktura dhe të ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës.

Këto rezultate vijnë nga një eksperiment i realizuar te minjtë nga Universiteti i Virginias dhe Virginia Tech, i publikuar në revistën “Alzheimer’s & Dementia”.

“Zbulimi i ndryshimit strukturor që shpjegon humbjen specifike të kujtesës te pacientët me Alzheimer është emocionues”, tha drejtuesi i studimit, Harald Sontheimer. Ai shtoi se zbulimi paraqet një objektiv të ri me ilaçe premtuese ndikojnë në mekanizmat përkatës.

Kërkuesit kishin treguar se disa zona të trurit janë të rrethuara nga struktura të quajtura rrjete perineuronale, një lloj matrice mbrojtëse që izolon neuronet, duke krijuar një barrierë të rëndësishme për komunikimin nervor dhe formimin e kujtimeve të reja.

Ata dyshuan se dëmtimet në rrjete janë faktor kyç në zhvillimin e Alzheimerit. Eksperimentet e mbështetën këtë, minjtë me rrjete perineuronale të dëmtuara në zonën CA2 të hipokampusit humbën aftësinë për të mbajtur mend minj të tjerë, formë e “kujtesës sociale” — edhe pse e ruajtën aftësinë për të krijuar kujtime të reja për objektet rreth tyre.

Kjo pasqyron situatën tek njerëzit, ku kujtesa sociale shpesh dëmtohet më herët se ajo për objektet.

Studiuesit testuan një grup ilaçesh të quajtura inhibitorë të metaloproteinazave të matricës, që parandalojnë enzimat që degradojnë proteinat e matricës jashtëqelizore, përfshirë ato të rrjeteve perineuronale.

Minjtë që morën këto ilaçe treguan degradim shumë më të vogël të rrjeteve mbrojtëse dhe ruajtën më mirë kujtesën sociale, pavarësisht prania së patologjisë së Alzheimerit.

Sontheimer paralajmëron se duhen studime të mëtejshme për të vlerësuar sigurinë dhe efektivitetin e kësaj qasjeje para se të testohet te njerëzit. Ekspertë të pavarur nënvizojnë se, megjithëse zbulimi është premtues, kalimi nga rezultatet te minjtë në aplikimin klinik te njerëzit kërkon kohë dhe prova të kontrolluara të mirëfillta. /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version