UBT News

Çfarë ndodh me yndyrën në gjak kur konsumohen vezë çdo ditë?

Konsumimi ose jo i vezëve krijon konfuzion: herë konsiderohen të shëndetshme për zemrën, herë jo. Por, për shumicën e njerëzve, ato mund të jenë pjesë e një diete të balancuar.

“Vezët janë burim i mirë e ekonomik i proteinës cilësore dhe vitaminave si A, D, E, K dhe vitaminave B, si dhe luteinës dhe kolinës”, tha dietologia Susan White, e specializuar në shëndetin e zemrës, ka raportuar EatingWell.

Vezët përmbajnë edhe kolesterol ushqyes, dhe trupi i secilit njeri e përthith ndryshe. Ndikimi i vezëve te kolesteroli apo yndyra në gjak ndryshon nga personi në person.

3 mënyra si vezët ndikojnë në kolesterol:

Trupi i secilit përthith ndryshe kolesterolin e vezëve.

Një vezë e madhe ka rreth 206 mg kolesterol.

“Prodhimi i kolesterolit nga vetë trupi ynë ka ndikimin më të madh te nivelet e kolesterolit në gjak. Trupi prodhon mes 800 dhe 1,000 mg kolesterol në ditë, në varësi të gjeneve dhe funksionit të mëlçisë”, ka shpjeguar White.

Disa njerëz përthithin 20 për qind të kolesterolit nga ushqimi, ndërsa të tjerë deri 80 për qind. Pra, nëse je nga ata që përthithin pak, vezët nuk do të kenë ndikim të madh. Por nëse përthithja është e lartë, një vezë çdo ditë mund të rrisë kolesterolin.

Vezët kanë pak yndyrë të ngopur

Niveli i kolesterolit në gjak ndikohet shumë edhe nga yndyrat e ngopura, që rrisin kolesterolin e keq dhe rrezikun për sëmundje të zemrës.

Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon që yndyrat e ngopura të mos kalojnë 6 për qind të kalorive ditore (11-13 gramë në ditë për një person që konsumon 2000 kalori). Një vezë ka vetëm 1.6 gram yndyrë të ngopur, ndërsa pjesa tjetër e yndyrave janë të shëndetshme.

Mund të ndihmojnë në menaxhimin e peshës

Mbipesha rrit rrezikun për kolesterol të lartë, humbja e peshës e ul. Një vezë ka 70 kalori e 6 gramë proteina, që ndihmojnë të ndihesh i ngopur. Studimet tregojnë se vezët, kur kombinohen me plan ushqimor që nuk përmban shumë kalori, ulin indeksin e masës trupore.

Sa vezë mund t’i hash pa rrezik?

Dikur këshillohej të mos kalohej 300 mg kolesterol në ditë, por sot nuk ka kufi të qartë.

“Mund të lexosh një studim që thotë se nuk ka problem të hash vezë, dhe një tjetër që sugjeron vetëm një në ditë,” ka thënë White.

Nëse ke diabet a tension të lartë, dietologët rekomandojnë jo më shumë se 3 të verdha vezësh në javë. Të bardhat nuk përmbajnë kolesterol dhe mund të hahen lirshëm. Nëse nuk ke faktorë rreziku për sëmundje kardiovaskulare, një vezë në ditë është përgjithësisht e sigurt.

Madje një studim i gjerë nuk gjeti dallime në rrezikun e vdekshmërisë mes atyre që hanin një vezë në ditë dhe atyre që nuk hanin fare.

“Nuk kemi ende prova të forta klinike që më shumë se dy vezë në ditë janë të sigurta për shëndetin”, ka shtuar White.

Si t’i hash vezët në mënyrë të shëndetshme?

Ha më shumë ushqim bimor: Sipas White dieta e pasur me ushqime bimore lidhet me më pak sëmundje kardiovaskulare.

Balanco vaktin: kombino vezët me fruta, perime, arra e drithëra.

Shto të bardhat: për më shumë proteina, përziej një ose dy të bardha me një vezë të plotë.

Zgjedh metoda më të shëndetshme gatimi: vezë të ziera, jo të skuqura me gjalpë apo dhjam.

Exit mobile version