UBT News

Çfarë mund të hani para ushtrimeve fizike?

Kur bëhet fjalë për t’i arritur qëllimet tuaja të shëndetit dhe fitnesit, ajo që hani para ushtrimeve mund të jetë po aq e rëndësishme sa vetë stërvitja.

Ju keni nevojë për ushqime që ju sjellin energji, por nuk doni të ndiheni aq të ngopur sa t’ju ngadalësojë aktivitetin fizik. Mund të jetë e vështirë për ta arritur atë ekuilibër thelbësor, prandaj disa trajnerë të fitnesit i kanë ndarë disa prej ushqimeve të tyre të preferuara të cilat i konsumojnë para çdo seance të stërvitjeve.

Tërshërë me gjalpë kikiriku dhe një banane

Nëse stërvitjet tuaja janë me intensitet të lartë, keni nevojë për ushqime të caktuara që t’i përballoni ato. Një kombinim i përkryer mund të jetë bollguri me gjalpë kikiriku dhe i shoqëruar me një banane. Kësaj mase të pasur me karbohidrate të shëndetshme dhe mjaft të shijshme, mund t’i shtohet edhe një lugë pudër proteinash të cilat i ushqejnë muskujt, ju japin fuqi dhe ju mbajnë të ngopur.

Tost me avokado dhe fara kërpi

Nëse jeni gati për ta filluar vrapimin ose ecjen në natyrë, do t’ju duhet diçka që ju jep energji për distancën e gjatë. I përshtatshëm për këtë qëllim është tosti me bukë të thekur me avokado dhe fara kërpi, pasi ju siguron më shumë energji, është i mbushur me karbohidrate dhe yndyra të mira, një dozë të vogël të proteinave të cilat janë më se të nevojshme për muskujt, si dhe është një ushqim mjaft i shijshëm.

Vezë me drithëra dhe boronica

Po kërkoni të krijoni muskuj? Atëherë ngrënia e një pjate të madhe me drithëra të përziera me boronica dhe qumësht të bajameve dhe disa vezë të fërguara, është ushqimi më i përshtatshëm për ju. Ky kombinim duhet konsumuar tri orë para se t’i filloni ushtrimet fizike. Sipas ekspertëve drithërat ju sigurojnë energjinë e nevojshme pa e penguar zhvillimin e muskujve.

Frutat

Varësisht kohës sa zgjatë stërvitja juaj, ju mund të ndiheni të ngopur dhe plotë energji edhe vetëm me një mollë. Për të gjithë ata persona që duan të bëjnë ushtrime të shpejta dhe më të shkurtra, mund ta zgjedhin një opsion më të lehtë të ushqyerjes që arrihet përmes frutave.

Exit mobile version