Kur kthehen pas në kohë dhe mendojnë se si kanë qenë në adoleshencë, apo si kanë qenë më parë në përgjithësi, shumë njerëz kanë përshtypjen se kanë ndryshuar shumë në shumë drejtime, përveç pamjes fizike. Ata analizojnë gjurmët e shijeve, zakoneve dhe vlerave të së kaluarës së tyre – nga muzika tek veshja, nga prirjet politike te marrëdhëniet njerëzore – dhe e kanë të vështirë të njohin veten e tyre.
Të tjerët mendojnë se nuk janë dhe aq ndryshe nga dikur, të paktën në disa aspekte, ndërsa të tjerë akoma mendojnë se s’kanë ndryshuar fare. Në një përpjekje për t’u bërë i dashur për elektoratin e tij gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2016, ish-presidenti i ShBA-së, Donald Trump, asokohe 70 vjeç, pretendoi në një rast se ishte i njëjti person si dikur kur ishte si fëmijë.
Një pretendim që nuk është i vështirë të mos besohej, duke pasur parasysh sjelljen e tij zakonisht impulsive, shkruan një grup psikologësh nga Zelanda e Re dhe ShBA-ja në vitin 2020 në librin “Origjina e vetes:Si fëmijëria e formëson jetën tonë më vonë”.
Ata ngritën pyetjen se nëse bazohemi tek temperamenti, përvojat dhe shëndeti gjatë fëmijërisë, mund të parashikojmë personalitetin që do të kenë individë të ndryshëm në moshë madhore. Në këtë aspekt janë bërë disa përpjekje për të analizuar këtë çështje nga një këndvështrim empirik dhe “i jashtëm”,pra duke u përpjekur të identifikohen elementë të vazhdimësisë apo ndërprerjes së dukshme në zhvillimin e njerëzve për periudha shumë të gjata kohore.
Për shembull fëmijët që kanë të përbashkët diagnozën e çrregullimit të hiperaktivitetit dhe defiçitit të vëmendjes, mund të paraqesin disa sjellje ose tipare të karakterit në moshë madhore, dhe ndoshta edhe prirje të veçanta dhe jo ndaj të tjerëve, por ndaj vetes apo dhe të kaluarës së tyre.
Këtë vit u mbushën plot 50 vite nga studim shumë i dobishëm në këtë aspekt. Në vitin 1972, në qytetin e vogël Dandin të Zelandës së Re, psikologu dhe studiuesi i Universitetit të Otagos, Fil Silva, u bë pjesë e një studimi të ndërmarrë nga mjekja pediatre, Patrisha Bakfilld mbi 225 djem dhe vajza.
Objektivi fillestar ishte studimi i ndikimit të përdorimit të disa teknologjive të reja gjatë lindjeve në spitalin obstetrik “Queen Mary”. Por studimi u zgjerua duke përfshirë gjithsej 1037 djem dhe vajza. Ai duhej të zgjaste vetëm 3vjet. Por as Silva dhe as Bakfilld, nuk e imagjinonin se ai do të bëhej një nga studimet e gjata më të cituara dhe më me ndikim në histori.
Ai studim ofroi të dhëna që më vonë u përdorën në më shumë se 1300 kërkime, libra dhe studime të rishikuara nga kolegët mbi tema të llojeve të ndryshme, nga rreziku i ardhshëm i hipertensionit të zbulueshëm në fëmijëri, tek efektet afatgjata të kanabisit dhe ndjenjat e kundërshtimit ndaj vaksinave të koronavirusit.
Një nga kufizimet e njohura dhe më të dukshme të studimit, kishte të bënte me përbërjen e kampionit:vetëm njerëzit e lindur në Dandin dhe rrethinat e tij në vitet 1970 (fillimisht 535 djem dhe 502 vajza, nga të cilat 24 binjake). Gjithsesi, studiuesit vlerësojnë se ata njerëz u rritën në shumë lloje familjesh, madje shumë të ndryshme nga njëri-tjetri, dhe më pas kryesisht (2/3) u larguan nga Dandin kur u rritën.
Pra janë faktorë që e bëjnë relativisht më heterogjene mostrën. Njerëzit në studim u përfshinë fillimisht kur ishin 3 vjeç, dhe më pas përsëri në 5, 7, 9, 11, 13, 15, 18, 21, 26, 32, 38 dhe 45 vjeç. Dy studiuesit intervistuan shpesh jo vetëm subjektet e studimit, por edhe familjen dhe miqtë e tyre.
Pasi Silva doli në pension në fundin e viteve 1990, studimi vazhdoi nga studiues të tjerë dhe tani drejtohet nga psikologu nga Zelanda e Re, Riçi Pullton, bashkautor i librit “Origjina e vetes”,që përmbledh rezultatet e “Studimit Dandin” përveç studimeve të tjera të ngjashme të të kryera në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, me një total prej rreth 4.000 njerëz të ndjekur gjatë dekadave.
Gjetjet e tyre në lidhje me marrëdhëniet midis së kaluarës dhe të tashmes sonë, konfirmojnë në shumë raste disa ide të përbashkëta rreth zhvillimit njerëzor. Në fund të intervistave prej 1 orë e gjysmë, studiuesit vlerësuan aspekte të ndryshme të personalitetit:shqetësimin, impulsivitetin, kokëfortësinë, nivelin e vëmendjes, miqësisë, aftësive komunikative etj. Bazuar në këto rezultate, ata i ndanë subjektet ne 5 makro-grupe të ndryshme. Grupi më i madh – rreth 40 për qind e kampionit – ishin fëmijë “të ekuilibruar” që kishin një kombinim të përsëritur të disa tipareve të personalitetit.
25 për qind ishin fëmijë më miqësorë dhe me vetëbesim, të cilët ndiheshin më rehat me të huajt, dhe që përballeshin më shumë me situata të reja sesa të tjerët. 15 për qind të tjerë ishin më të rezervuar, dhe fillimisht shumë të kujdesshëm ndaj të panjohurve.
Së fundmi, 10 për qind e kampionit u klasifikuan si “të tërhequr”, të përbërë nga fëmijë të turpshëm dhe të mbyllur, dhe 10 për qind me një prevalencë të lehtë të meshkuj si të “hipo–kontrolluar” nga pikëpamja e impulseve, të përbërë nga fëmijë impulsivë, inatçorë dhe në ankth.
Pas intervistave gjatë disa dekadave të ardhshme, studiuesit ishin në gjendje të identifikonin modele kur subjektet mbushën 18 vjeç. Dallimet midis subjekteve të 3 grupeve të para ishin bërë të paqarta:edhe pse shfaqeshin lidhje të paqarta midis tipareve të caktuara të personalitetit dhe secilit prej grupeve individuale, studiuesit vendosën t’i bashkonin ato në një grup të vetëm.
Vëmendja e tyre u përqendrua tek djemtë dhe vajzat e grupit të tretë dhe të katërt, të cilët treguan shenja më të dukshme koherence sesa tiparet që kishin shfaqur që në moshën 3 vjeçare. Adoleshentët në grupin e fëmijëve “të tërhequr”, ishin “dukshëm më pak energjikë dhe të vendosur” se gjithë të tjerët.
Ndërkohë ata me një nivel kontrolli të ulët, e përshkruanin veten si “në kërkim të rrezikut”,dhe në krahasim me adoleshentët e tjerë, kishin “më pak të ngjarë të shmangnin situatat e dëmshme, emocionuese dhe të rrezikshme” apo që “silleshin në mënyrë reflektuese, me shumë kujdes apo të planifikuar”.
Po ashtu ata prireshin më shpesh se të tjerët të zemëroheshin dhe ta konsideronin veten “të keqtrajtuar dhe viktima të së kaluarës së tyre dhe botës”. Intervistat e mëvonshme treguan një “tërheqje progresive nga bota” nga ana e të rriturve në grupin e më introvertëve.
Në përgjithësi çdo person mund ta konsiderojë veten shumë të ndryshëm nga mënyra se si ishte në të kaluarën në disa aspekte, dhe ta konsiderojë veten të njëjtë si gjithmonë, në disa aspekte të tjera.
Por përshtypja e të qenit njerëz të ndryshëm ose të ngjashëm me atë që ishit dikur, kushtëzohet në mënyrë të pashmangshme edhe nga përshtypjet e njerëzve të tjerë.
Historitë që njerëzit i tregojnë vetes nëse kanë ndryshuar apo jo, janë shpesh edhe thjeshtëzime të dobishme për të vendosur një lloj rendi nga kaosi që dominon, për t’i rezistuar çdo fatkeqësie, dhe për të promovuar zhvillimin personal. /Marrë me shkurtime nga Il Post – Bota.al