Protestat që po zhvillohen prej javësh në të gjithë Iranin filluan pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini. Ajo u arrestua nga policia e moralit më 13 shtator për gjoja mosrespektimin e kodit të veshjes. Sipas autoriteteve iraniane, ajo nuk e vendosi siç duhet hixhabin.
Autoritetet iraniane thonë se Mahsa Amini vdiq për shkaqe shëndetësore, por familja e saj dhe populli iranian beson se ajo vdiq pasi u rrah nga policia e moralit.
Pas funeralit që u mbajt në qytetin e saj të lindjes në Saqqez, provincë perëndimore e Kurdistanit, shpërthyen protesta.
Gratë brohorisnin “grua, jetë, liri” dhe “vdekje diktatorit”, duke i tundur shamitë e madje edhe duke i djegur ato.
Protesta të ngjashme u organizuan edhe në veriperëndim që është i populluar me kurdë dhe në Teheran, para se trazirat të shtriheshin në dhjetëra qytete të tjera./UBTNews/