Në një park kombëtar, 4 orë me makinë në veri të qytetit të Sidneit në Australi, një zjarr vazhdon të digjet jashtë kontrollit të njeriut. Por aspekti më i çuditshëm, është se po e bën këtë prej të paktën 6000 vjetësh.
I njohur edhe si “Mali që digjet” (Burning Mountain), zjarri misterioz nëntokësor është më i vjetri i njohur në planetin tonë. Disa shkencëtarë vlerësojnë se ai mund të jetë shumë më e lashtë nga sa mendojmë aktualisht.
I vendosur nën malin Uingen në shtetin e Uellsit të Ri Jugor, kjo vatër përbëhet nga njështresë qymyri, dhe anembanë botës ka mijëra të tillë. Pasi ndizen, këto zjarre nëntokësore janë thuajse të pamundura që të shuhen.
Dalëngadalë ato rrugëtojnë nëpër shtresën e qymyrit, dhe dihet se një shtresë qymyri ndodhet natyrshëm nën sipërfaqen e Tokës. “Askush nuk e di madhësinë e zjarrit nën ‘Burning Mountain’, por mund të bëhet një vlerësim i përafërt”- thotë Guilermo Rein, profesor i shkencës së zjarrit në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
“Ka të ngjarë që ai të jetë një top i zjarrtë me diametër rreth 5–10 metra, dhe ku temperaturat arrijnë në 1.000 gradë Celsius” thekson Rein. Ai e vizitoi “Malin që Digjet” në vitin 2014. Por në dallim nga një zjarr tipik, një zjarr i shtresës së qymyrit që digjet nën tokë; nuk ka flakë dhe është më shumë si prush në një barbeky.
Zjarri nën malin Uingen po digjet në thellësinë 30 metra nën tokë, dhe po zhvendoset drejt jugut me një shpejtësi prej rreth 1 metër në vit. Nëse vizitoni parkun kombëtar ku ndodhet ky mal, dëshmia e vetme e ekzistencës së tij është pak tym dhe hi i bardhë, një tokë e ngrohtë kur e prek, shkëmbinj të zbardhur në të verdhë dhe të kuq, dhe era e squfurit që lëshohet kur zjarri poshtë djeg mineralet që përmban mali.
Por edhe pse është kryesisht i padukshëm, trajektorja që po ndjek zjarri është e dukshme. Njëvëzhgim më i afërt, zbulon disa zona të djegura kohët e fundit, të mbuluara me hi dhe pa jetë bimore.
”Përpara zjarrit, këtu kishte një pyll të bukur me dru eukalipti. Aty ku është zjarri, tani nuk ka absolutisht asgjë të gjallë, madje as bar. Dhe aty ku ishte zjarri 20 deri në 30 vjet më parë, është rikthyer pylli, që megjithatë është i një lloji tjetër, pasi zjarri e ka ndryshuar peizazhin”- shprehet Rein.
Shumë zjarre në shtresat e qymyrit nëntokë, sidomos ato në Indi, Kinë dhe SHBA, shkaktohen nga ndërhyrja njerëzore në miniera. Për shembull kujtoni rastin e zjarrit poshtë Centralias në Pensilvani, qyteti tashmë i shkretë që frymëzoi filmin “Silent Hill”, dhe që është djegur për gati 60 vjet.
Por kush e ka ndezur këtë zjarrin? Askush nuk është i sigurt për këtë. Hera e parë e dokumentuar e këtij zjarri nga evropianët daton në vitin 1828, kur një fermer i zonës deklaroi se kishte zbuluar një vullkan në rajonin e malit Uingen.
Vetëm një vit më vonë, në vitin 1829, gjeologu C.Uillton arriti në përfundimin se vullkani i supozuar, ishte në fakt një zjarr i shtresës së qymyrit. Që atëherë, matjet kanë treguar se gjurma e këtij zjarri mbulon një sipërfaqe prej rreth 6.5 kilometrash, duke sugjeruar se ai ka qenë i ndezur prej të paktën 6.000 vjetësh.
Por përveç kësaj, në këtë zonë nuk është bëtë thuajse asnjë kërkim zyrtar. Ky vend konsiderohet i shenjtë nga banorët e zonës, populli aborigjen Uanaruah, që e ka përdorur këtëzjarr për gatim dhe për të prodhuar armë. Sipas Rein, shkaqet natyrore janë burimi më i mundshëm.
“Zjarre të tillë mund të digjet për mijëra vjet pa ndërhyrjen e njeriut. Ndërsa zjarri përparon, ai e ngroh malin duke shkaktuar zgjerimin dhe plasaritjen e tij, duke lejuar depërtimin e oksigjenit, në mënyrë që zjarri të mund të ecë përpara”– shton eksperti.
Edhe me ndërhyrjen njerëzore, zjarret në shtresat e nëndheshme të qymyrit janë shumë të vështira për t’u shuar. Ato kërkojnë tonelata ujë dhe azot të lëngshëm. Në vitin 2004, Kina pretendoi se kishte shuar një zjarr që digjej prej 50 vitesh, por vizitorët panë shenjat e djegies së tij vetëm disa vite më vonë./bota.al