Vrasja e shtatë anëtarëve të World Central Kitchen (WCK) në Gaza ka vënë në pah punën e rrezikshme të organizatave humanitare në mbarë globin.
Për 14 vjet, organizata joqeveritare e themeluar nga shefi i kuzhinës, Jose Andres, ka ofruar miliona vakte në vendet e shkatërruara nga fatkeqësitë natyrore dhe konfliktet e dhunshme. Organizata ka sjellë ushqim për civilët në luftën Izrael-Hamas që nga muaji tetor.
Pas sulmit ajror në kolonën e saj të ndihmave, organizata e pezulloi punën e saj duke ngjallur frikën se një litar jetësor do të ndërpritet.
Të vrarët po udhëtonin nga një depo në qendër të Gazës, kur kolona u godit nga avionët izraelitë. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) e kanë pranuar sulmin ajror dhe janë zotuar të hetojnë.
Çfarë roli ka WCK në Gaza?
WCK ka operuar në Gaza – si dhe në Izrael dhe Liban – që nga shpërthimi i armiqësive në fillim të tetorit të vitit të kaluar.
Deri më 29 mars, organizata kishte dërguar më shumë se 1 mijë e 700 kamionë me ushqime dhe pajisje gatimi përmes kufirit Rafah nga Egjipti dhe po funksiononte përmes 68 “kuzhinave të komunitetit”.
Gjithashtu organizata ka dërguar 230 mijë vakte nga Jordania, si në tokë ashtu edhe me avion, si dhe 435 mijë të tjera përmes detit.
Kohët e fundit tha se dy anije të tjera janë të ngarkuara me 1.2 milionë ushqime gati për t’u dërguar në Gazën veriore.
Çfarë ndikimi do të ketë pezullimi i ndihmës nga WCK?
Njoftimi se WCK dhe një shoqatë tjetër bamirëse, American Near East Refugee Aid, kanë pezulluar operacionet, ngriti shqetësime të menjëhershme për një ndërprerje të ndihmës për Gazën. Emiratet e Bashkuara Arabe – financuesi kryesor i WCK-së në Gaza – ka ndalur gjithashtu ndihmën në Gaza.
“Fëmijët po vdesin nga uria”, i tha BBC-së Juliette Touma, drejtoreshë e komunikimit për Agjencinë e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinë (UNRWA). “Çdo organizatë që ofron ndihmë për njerëzit në Gaza është thelbësore”.
“Çdo ndërprerje do të ketë pasoja të rënda për një popullatë e cila tashmë po kalon në situatë të vështirë”.
Dr Mona Jebril, një studiuese palestineze në Kembrixh, e cila jetoi në Gaza për më shumë se 22 vjet, tha se ndikimi i sulmit ajror është “shumë më shumë sesa thjesht katastrofik”.
“Ne po flasim për një popullsi që në thelb është deklaruar 100% që ndodhet në prag të urisë”, tha ajo. “Popullsia po lihet të vdesë…Kjo është shumë e rrezikshme”./UBTNews/