Një sëmundje jashtëzakonisht e rrallë e quajtur lija e majmunit, ka gjetur sërish rrugën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një rast i lisë së majmunëve u raportua të mërkurën në një pacient të shtruar në një spital në Massachusetts, i cili kohët e fundit kishte udhëtuar në Kanada me transport privat.
Në vitin 2021, dy njerëz që udhëtuan nga Nigeria drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës u diagnostikuan me këtë sëmundje, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Lija e majmunëve haset kryesisht në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, por disa raste janë hasur edhe në Evropë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe pjesë të tjera të botës vitet e fundit. Këto raste zakonisht lidhen me udhëtime ndërkombëtare ose kafshë të importuara të infektuara me këtë sëmundje.
Cilat janë simptomat fillestare të lisë së majmunit?
Ekziston një periudhë inkubacioni prej rreth shtatë deri në 14 ditë. Simptomat fillestare janë tipike të ngjashme me gripin, si ethe, të dridhura, rraskapitje, dhimbje koke dhe dobësi muskulore, të ndjekura nga ënjtje në nyjet limfatike, të cilat ndihmojnë trupin të luftojë infeksionin dhe sëmundjet.
“Një tipar që dallon infeksionin me lisë nga lija është zhvillimi i nyjeve limfatike të fryra”, njoftoi Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Më pas shfaqet skuqja në fytyrë dhe trup, përfshirë edhe brenda gojës dhe në pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve.
Si përhapet lija e majmunit?
Në përhapjen e lisë së majmunit ndikon kontakti i ngushtë me një individ të infektuar, thonë ekspertët.
“Lija e majmunit mund të jetë një infeksion serioz, me shkallën e vdekshmërisë nga ky lloj virusi i lisë së majmunëve që ka qenë rreth 1% në shpërthime të tjera. Këto janë shpesh në mjedise me të ardhura më të ulëta me qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor”, tha Michael Head, studiues i lartë në shëndeti global në Universitetin e Southampton në Mbretërinë e Bashkuar.
Ku e ka origjinën lija e majmunit?
Lija e majmunëve mori emrin në vitin 1958 kur “dy shpërthime të një sëmundjeje të ngjashme me linë ndodhën në kolonitë e majmunëve të mbajtura për studime”, tha Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Megjithatë, bartësi kryesor i sëmundjes së lisë së majmunit është ende i panjohur, megjithëse “brejtësit afrikanë dyshohet se luajnë një rol në transmetim”, tha agjencia.
Rasti i parë me këtë sëmundje në njerëz u regjistrua në vitin 1970, në Republikën Demokratike të Kongos gjatë një periudhe përpjekjesh të intensifikuara për të eliminuar linë./UBTNews/