Vetëm disa vite më parë, Volodymyr Zelensky luante rolin e presidentit të Ukrainës në televizion. Ndërsa tani ai është lider i vertetë që drejton vendin e tij të pushtuar nga Rusia.
Megjithëse Zelensky thotë se është në shënjestër të Kremlinit, ai ka fituar respektin e shumicës së ukrainasve duke refuzuar të largohet nga kryeqyteti. Ai u ka kërkuar ukrainasve të rezistojnë, ndërsa po harton një strategji të suksesshme komunikimi me të cilën ka fituar zemrat dhe mendjet e liderëve dhe votuesve evropianë.
Ndërsa pranojnë se Moska ka forca jashtëzakonisht superiore që nuk i ka përdorur ende, zyrtarët perëndimorë thonë se udhëheqja e presidentit Zelensky tregon edhe më tej për vendosmërinë e Ukrainës.
Kush është Volodymyr Zelensky?
Zelensky, 44-vjeçar, është ish-komedian, personalitet televiziv dhe aktor – dhe tani kreu i shtetit të Ukrainës. Ai lindi në qytetin e Kryvyi Rih në perëndim të Ukrainës dhe u rrit në një siç thoshte ai “familje të zakonshme hebreje”.
Presidenti rus, Vladimir Putini u përpoq ta justifikonte pushtimin e Ukrainës duke e cilësuar si “operacion të denazifikimit”, por Zelensky është hebre dhe shumica e familjarëve të tij u vranë nga nazistët gjatë Holokaustit. Gjyshi i tij ishte një nga katër vëllezërit që i shpëtoi pushtimit gjerman të Ukrainës.
Në cilat shfaqje u paraqit Zelensky?
Zelensky u zgjodh president i Ukrainës në prill të vitit 2019 dhe u betua një muaj më vonë.
Para se të kandidonte për president, ai ishte personazh i famshëm humori në Ukrainë. Ai udhëhoqi një shfaqje të zhanrit komedi “Liga Smeha” dhe fitoi kompeticionin “Dancing With the Stars” në vitin 2006.
Zelensky krijoi kompaninë multimilionë dollarëshe të produksionit “Studio Kvartal 95”.
Ndoshta roli i tij më i rëndësishëm i aktrimit ishte në shfaqjen “Servant of the People” si Vasyl Holoborodko, një mësues, fjalimi i të cilit për korrupsionin në politikën ukrainase u bë viral.
Cilat janë pikëpamjet politike të Zelenskyt, përfshirë Rusinë dhe Putinin?
Zelensky ka kërkuar të ndryshohen emrat e monumenteve të epokës sovjetike dhe emrat e rrugëve për të nderuar heronjtë ukrainas.
Dhe ndërsa ai është bërë një lloj hero për publikun ukrainas që nga fillimi i pushtimit rus, popullariteti i tij si president dukej se po binte. Ai ishte kritikuar për mos shtyrjen e reformave kundër korrupsionit, siç kishte deklaruar gjatë fushatës së tij, dhe disa ukrainas mendonin se ai ishte shumë i dobët dhe komprometues me Putinin.
Para se të zgjidhej president, ai tha në një intervistë për Vice News se donte t’i jepte fund konfliktit në rajonin lindor të Donbasit, “sepse ne nuk duam që njerëzit tanë të humbasin më”. Konflikti në Donbas, ku separatistët e mbështetur nga Rusia po luftojnë me qeverinë ukrainase, luajti një rol kyç në pushtimin rus. Ditë para pushtimit, Putini njohu zyrtarisht pavarësinë e dy zonave separatiste në rajon, në të cilat sipas tij po ndodhte një “gjenocid” kundër rusishtfolësve.
Ku është Zelensky dhe familja e tij?
Edhe pse Zelensky ka pohuar se Moska po synon “ta shkatërrojë Ukrainën politikisht duke shkatërruar kreun e shtetit”, ai nuk është tërhequr. Në ditët që nga fillimi i pushtimit, ai ka ecur në rrugët e kryeqytetit, teksa filmonte veten duke i kërkuar popullit ukrainas t’i rezistojë pushtimit rus. Thirrjet e tij duket se po funksionojnë, dhe Shtetet e Bashkuara dhe Britania po thonë se Moska po përballet me rezistencë më të fortë në Ukrainë nga sa kishte parashikuar. Zelensky thotë se familja e tij është “targeti numër 2” i Rusisë.
Për arsye sigurie, ai nuk e ka bërë të ditur vendndodhjen e familjes së tij – gruas dhe dy fëmijëve – edhe pse besohet se janë pranë tij.
“Unë do të jem pranë fëmijëve të mi, pranë burrit tim dhe me ju”, shkroi zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, në Instagram javën e kaluar./UBTNews/