Beteja të rënda midis forcave ruse dhe mbrojtësve të fundit ukrainas të Mariupolit po zhvillohen në fabrikën e çelikut Azovstal, sipas zyrtarëve.
Pavarësisht përpjekjeve për të evakuuar civilët e bllokuar, qindra ende kanë mbetur, duke përfshirë rreth 30 fëmijë, tha kryebashkiaku i qytetit.
Deri kohët e fundit Azovstal ishte një lojtar kryesor në skenën globale, duke prodhuar 4 milionë tonë çelik në vit dhe duke eksportuar shumicën, sipas pronarit të saj Metinvest Holding, prodhuesi më i madh i çelikut në Ukrainë.
Çfarë dihet për situatën:
Komandanti i ushtarëve të Regjimentit Azov brenda fabrikës, nënkoloneli Denys Prokopenko, thotë se brenda kompleksit ka “beteja të rënda dhe të përgjakshme” pasi forcat ruse depërtuan.
Kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadym Boichenko tha të mërkurën “artileri të rënda dhe tanke po qëllojnë në të gjithë uzinën, aviacioni po punon, anijet janë afruar dhe po qëllojnë gjithashtu”.
Ai tha se kishte 30 fëmijë të bllokuar në fabrikë që ende prisnin të shpëtoheshin. Fundjavën e kaluar, më shumë se 100 civilë u evakuuan nga fabrika e çelikut Azovstal dhe arritën të sigurtë në Zaporizhzhia.
Luftëtarët brenda fabrikës së rrethuar po “ndajnë ujë dhe ushqim” me civilët. “Nëse më e keqja ndodhë dhe na mbaron ushqimi, ne do të kapim zogj dhe do të bëjmë gjithçka vetëm për të qëndruar të palëkundur”, tha zëvendës komandanti Svyatoslav Palamar për CNN.
Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se pret të hapë korridoret e evakuimit për civilët nga uzina e çelikut Azovstal pranë Mariupol duke filluar nga e enjtja./UBTNews/