Presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin të mërkurën se Rusia “posedon armë të ndryshme shkatërruese” pasi akuzoi liderët botërorë për shantazh ndaj vendit të tij.
Të mërkurën, Putin urdhëroi “mobilizim të pjesshëm” të forcave rezervë në Ukrainë. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka diku rreth 300 mijë trupa.
“Nëse integriteti territorial i vendit tonë kërcënohet, ne padyshim që do të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për ta mbrojtur Rusinë dhe njerëzit tanë – ky s’është bllof”, tha Putin në një adresim të rrallë televiziv.
Kjo deklaratë e Putinit ngjalli reagime. Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace tha se “kërcënimet dhe propaganda” s’mund të zbehin faktin se Ukraina po e fiton luftën.
Sa armë bërthamore ka Rusia?
Sipas Federatës së Shkencëtarëve amerikanë, Rusia ka një inventar total të kokave bërthamore prej 5 mijë e 977 – ky është më i madhi në botë. Për dallim nga Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë 5 mijë e 428, Franca 290 dhe Britania e Madhe 225.
Thuhet se 90% e kokave bërthamore janë në pronësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë.
Buletini i Shkencëtarëve Atomikë thotë se arsenali rus ka 4 mijë e 447 koka luftarake, nga të cilat 1 mijë e 588 janë të vendosura në raketa balistike dhe në baza të rënda bombarduese.
Megjithatë, ekspertët kanë thënë se numri i saktë i kokave dhe armëve nuk dihet për shkak të fshehtësisë lidhur me çështjet e sigurisë.
Çfarë kërcënimi paraqesin për Ukrainën dhe botën?
Raketat balistike ndërkontinentale (ICBM) në posedim të Rusisë kanë aftësinë për të arritur dhe shkatërruar qytetet kryesore globale si Londra apo Uashingtoni. ICBM-të mund të arrijnë shpejtësinë maksimale rreth dhjetë minuta pas lëshimit, që nënkupton se një raketë nga Rusia mund të arrijë në Londër për 20 minuta.
Në muajin mars, Putin ngriti alarmin në të gjithë botën pasi vendosi forcat e tij parandaluese bërthamore në gatishmëri të lartë.
Cilat janë procedurat që Rusia duhet të ndjekë për të lëshuar armë bërthamore?
Presidenti i vendit, ministri i mbrojtjes ose shefi i shtabit të përgjithshëm duhet të japin leje përmes asaj që quhet valixhe bërthamore Cheget.
Doktrina bërthamore ruse mundëson përdorimin e asaj që njihet si një armë bërthamore taktike – një shpërthim i kufizuar bërthamor – që të vendoset në një konflikt konvencional për të ndikuar që armiku të tërhiqet.
Armët strategjike bërthamore mund të godasin objektiva shumë më larg, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Njihen me termin armë taktike, e që fjala është për armë bërthamore që përdoren në fushëbetejë, siç është rasti me Ukrainën.
Globalisht, çfarë po ndodh me sasinë e armëve bërthamore?
Vendet tjera po blejnë ose prodhojnë raketat e tyre, për shkaqe sigurie si dhe për të reduktuar varësinë nga furnizuesit tjerë.
Para përfundimit të dekadës, Azia në veçanti do të posedojë shumë raketa konvencionale që fluturojnë larg dhe shpejt dhe do të jenë më të sofistikuara se kurrë më parë.
Kina po prodhon në masë të madhe DF-26 e saj – një armë me shumë qëllime me një rreze veprimi deri në 4 mijë km.
ShBA po zhvillon armë të reja. Tajvani dhe Japonia po rrisin gjithashtu aftësitë e tyre raketore, si dhe sistemet e mbrojtjes të dizajnuara për të kundërshtuar kërcënimet raketore.
Federata e Shkencëtarëve amerikanë tha se nëntë vende posedojnë rreth 12 mijë e 700 koka luftarake që nga fillimi i vitit 2022./UBTNews/