Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se rruga e vetme për paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë është zgjidhja e problemeve me dialog, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve.
“Është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri [i situatës] dhe çështja të zgjidhet në mënyrë paqësore, sepse dhuna nuk ka vend në rajon”, tha KFOR-i në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 11 dhjetor se ka kërkuar nga KFOR-i të sigurojë lirinë e lëvizjes, por se përfaqësuesit e këtij misioni ndërkombëtar kanë kërkuar kohë për heqjen e barrikadave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se, më 15 dhjetor, do t’i dërgojë një kërkesë KFOR-it për vendosjen e 1.000 trupave serbe në territorin e Kosovës, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
KFOR-i nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për të komentuar këtë paralajmërim./REL