UBT News

Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve: LVV 42.3%, PDK 20.95%, LDK 18.27%, AAK-Nisma 7.06%

Më shumë se gjashtë javë pas ditës së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Lëvizja Vetëvendosje është certifikuar si fituese e këtyre zgjedhjeve me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind. Ky rezultat ia siguron Vetëvendosjes 48 ulëse në Kuvend.

E dyta ka dalë Partia Demokratike me mbi 190.000 vota apo 20.95 për qind (24 ulëse), e pasuar nga Lidhja Demokratike (LDK) me mbi 170.000 mijë vota apo 18.27 për qind (20 ulëse). Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind (8 ulëse në Kuvend). Rezultatet u certifikuan me 9 vota pro e dy kundër.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ votuan kundër. Ata paraprakisht u ankuan për procesin e votimit me postë duke paralajmëruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Sami Kurteshi i LVV-së ka thënë se pa u përfunduar edhe mundësia e fundit ligjore në Kushtetuese, nuk mund ta votojë certifikimin e rezultateve.

Ndërsa Ilir Gashi nga PDK-ja ka thënë se duhet të adresohen të gjitha çështjet, përfshirë defektet e brendshme që kanë përcjellë procesin e kësaj here.

Alban Krasniqi i VV-së ka thënë se “shenjat e zeza që ka lanë ky proces dhe rreziku që këto të kalojnë pa e marrë rrugën e organeve të drejtësisë përbën rrezik të demokracisë”.

“Deformimi i rezultatit që vjen qoftë prej PZAP, prej Supremes, kur faktet kanë qenë të renditura, përbën për mua një thirrje të hapur që këto dy institucioneve u kanë bërë shkelësve të ligjit që të vazhdojnë me manipulim të procesit se e kanë mbështetjen e tyre. Ndihem shumë i indinjuar edhe për faktin se edhe sot janë ca njerëz në ekrane televizive e që zgërdhihen për lehtësinë që ata mendojnë se ja kanë hedhur për një mbulim të një krimi që është i pambulueshëm”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e KQZ-së të enjten u diskutua paraprakisht për çështjen e certifikimit të kandidatëve që kanë fituar postin e deputetit e në anën tjetër s’janë dorëhequr ende nga postet tjera të tyre, në Qeveri dhe komuna.

Fillimisht, Krasniqi ka propozuar që të vazhdohet me listat aktuale, dhe ata që marrin mandatin më pas të zëvendësohen.

E Gashi i PDK-së ka thënë se problemi është se “duke iu referuar ligjeve në fuqi, janë disa kategori që duhet të japin dorëheqje, para certifikimit”. Këtu ka përmendur ekzekutivin lokal dhe qendror.

Kurteshi i LVV-së ka thënë se ka pasaktësi në njoftimin e KQZ-së “pasi ai nuk është thirrur në nenet që duhet të citohen”.

Pas këtij diskutimi, kryetari Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se tre kryetarë komunash kanë hequr dorë nga postet e deputetëve. Bëhet fjalë për Bedri Hamzën e PDK-së dhe Gazmend Muhaxherin e Imri Ahmetin e LDK-së. Këta të tre u zëvendësuan me Rashit Qalajn, Arben Gashin dhe Paris Gurin.

Kush i siguroi mandatet?

Përbërja e re e kuvendit do të ketë shumë emra të vjetër, por të numërt janë edhe kandidatët që për herë të parë do ta ushtrojnë funksionin e ligjvënësit.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, mandat deputeti kanë siguruar: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Faton Peci, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Xhelal Svecla, Donika Gërvalla Schwarz, Avni Dehari, Mimoza Kusari Lila, Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti Selimi, Saranda Bogujevci, Edona Llalloshi, Mefail Bajqinovci, Hajrullah Ceku, Armend Muja, Jeta Statovci, Haxhi Avdyli, Albena Reshitaj, Artane Rizvanolli, Nezir Kraki, Adelina Grainca, Arbreshë Kryeziu, Arbër Rexhaj, Dimal Basha, Valon Hoti, Arbërie Nagavci, Liza Gashi, Valon Ramadani,  Labinotë Demi Murtezi, Fjolla Ujkani Halil Thaci, Agim Bahtiri, Fitore Pacolli Dalipi, Artan Abrashi, Salih Zyba, Adriana Matoshi, Drita Pajaziti, Fitim Haziri, Driton Hyseni, Bylbyl Sokoli, Bajram Mavriqi, Arjeta Fejza, Ilir Kërçeli, Fatmire Kollçaku, Arijeta Rexhepi dhe Rozeta Hajdari.

Në PDK, mandatet e deputetëve i morën: Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Sala Jashari, Enver Hoxhaj, Përparim Gruda, Ganimete Musliu, Nait Hasani, Jakup Nura, Rrahman Rama, Artan Behrami, Mërgim Lushtaku, Elmi Reçica, Ferat Shala, Blerta Deliu-Kodra, Fadil Demaku, Altin Krasniqi, Xhevahir Geci, Abelard Tahiri, Ariana Musliu Shoshi, Rashit Qalaj, Eliza Hoxha, Arbnore Salihu dhe Kosovare Murseli.

Në LDK deputetë u bënë: Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica Xhelili, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Anton Quni, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku Sadriu,  Armend Zemaj, Hysen Cekaj, Fadil Hadërgjonaj, Besian Mustafa, Marigona Geci, Ekrem Hyseni, Krenar Xhaferi, Alban Zogaj, Arben Gashi, Paris Guri, Serbeze Muçaj dhe Arjeta Abazi.

AAK-ja bashkë me Nismën do t’i kenë këta përfaqësues në Kuvend: Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Fatmir Limaj, Bekë Berisha, Time Kadrijaj, Lahi Brahimaj, Arbreshë Krasniqi, Xhevahire Izmaku.

Exit mobile version