Institucioni i Avokatit të Popullit ka mbajtur një tryezë diskutimi me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.
Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur u bëri thirrje liderëve shtetërorë që të punojnë më shumë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke thënë se dhimbja nuk i lë të flenë.
Në fjalën e tij, Çerkini tha se edhe pas 25 viteve nuk po gjendet gjuhë e përbashkët edhe pse është nënshkruar marrëveshje të na zbutet pak dhimbja. Ai përmendi edhe varresat masive për të cilat tha se nuk po bëhen mjaftueshëm gërmime.
“Politikanë të nderuar, kthejuni vetes dhe popullit. Rehatojeni popullin me këtë dhimtë me të cilën nuk mund të flejnë sa duhet. Shumë rrall e përmendi djalin, kur më bie ndërmend për ato nëna që ua kanë marrë në prehër fëmijtë. I kam djepat në zyre të zbrazët e nënat gjallë. A ka gjë më të rëndë se kur të thuhet po i shkelmi të drejtat e njeriut me konventa ndërkombëtare… Me qenë analfabeta që s’dijnë me shkru, kanë ditë vëllezërit, baballarët e stërgjyshërit prej vitit 1912 i kam të pagjetur. Kanë ditur të gjejnë gjuhë të përbashkët me zbutë dhimbjen e këtij populli. U përmendën varrezat masive. Deri kur na themi kemi lavru krejt Kosovën? Aty ku unë besoj që janë tetë vetë, me djalin tim, nuk është germuar ende”, tha ai.
Ndërkaq duke folur për retorikën se po rritet rreziku për luftë të re, Çerkini kritikoi ata që po bëjnë një gjë të tillë. Ai tha se lufta po përmendet nga ata që së bashku me fëmijët e tyre mund të largohen nga vendi dhe se në rast lufte, ai nuk do të largohej nga Mitrovica.
“Na e keni futë një stres të ri se po bëhet luftë. Kush po e lypë atë luftë? Ai që mundet me largu fëmijët prej këtu se unë që nuk mundem me ik dhe ata që më kanë mbetur, pasha Zotin, qaty në Mitrovicë kam me vdekë. Mos ma përmend bre vëlla! E vetmja Mitrovicë shqiptare nuk ka memorial. Në Urë të Ibrit në pjesën e veriut 7 metra memoriali për serbët, 50 për qind nuk kanë qenë në luftë fare. Të gjithë politikanët e dijnë këtë punë”, tha ai.