Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini e ka quajtur të shëmtuar e mashtruese Deklaratën për të Zhdukurit e cila u miratuar gjatë takimit të djeshëm në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Çerkini u shpreh se me këtë deklaratë vetëm sa do të ngecë tutje procesi dhe nuk do të ketë asnjë progres për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Sipas tij, ky dakordim shkon në favor të atyre që nuk duan t’i zbulojnë krimet e luftës në Kosovë përfshirë edhe çështjen e të pagjeturve.
“Janë marr vesh për një deklaratë, e cila deklaratë është për mua në ajër, nuk është në tokë. Kjo deklaratë nuk është e sotit, këto shkrime që i kanë dakorduar nuk janë të sotit, nuk ka asgjë që ky politikan as i Beogradit dhe Kosovës që nuk kanë parë edhe para 10 viteve. Unë them se këto deklarata janë mashtruese edhe për të shtyrë procesin e personave të pagjetur qysh e kanë shtyrë plotë që 25 vite dhe kjo shkon në favor të atyre që nuk duan me i zbulua krimet e luftës në Kosovë edhe me i zbulua ata njerëz që ne i kërkojmë edhe 1617 veta. Pse nuk jam i kënaqur? Sepse nuk kanë dal me një plan-program të caktuar se grupet dialoguese duhet të fillojnë menjëherë pavarësisht politikës në pjesën humane dhe një pikë e veçantë për personat e pagjetur t’ua tregojnë kohën kur mundem me vazhdua punën që e kanë punuar deri tash e 25 vite”, theksoi ai.
Madje, kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini nuk pret që kjo Deklaratë për personat e zhdukur e dakorduar mes palës kosovare dhe ajo serbe të zbatohet nga ana e Serbisë. Ai kërkon strategji konkrete për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Kjo nuk ka me e zgjedh dhe as si kanë punuar përpara bile-bile, edhe më keq sesa që kanë punuar në varrezat masive të cilat tash e 25 vite dihen ku janë, kanë informata se ku janë, kanë informata se kush i ka bërë krimet. Për zbardhjen e fatit të tyre duhet të krijojnë një strategji apo të punohet diçka konkrete në pjesën humane, njerëzore e jo politike… M’sa i kanë zbatuar deri më tani aq besojna që kanë me i zbatua edhe tash edhe pse kanë thënë nuk i zabtojmë haptazi, Vuçiq ka thënë, edhe sot kësaj dite kërkon gjakderdhje në pjesën veriore”, u shpreh Çerkini.
Teksa ka shprehur pakënaqësitë karshi punës së ekzekutivit kosovar që po e bënë për zbardhjen e fatit për të pagjeturit, Çerkini thotë se Deklarata për personat e zhdukur e miratua dje në Bruksel nuk ka të caktuar as një afat kohor për zgjidhjen e kësaj çështje.
“As që u përmend afati dhe as që është caktuar strategjia, as që kanë thënë se duhet për një kohë të shkurt të ulet grupi punues e të bisedohet në atë pjesën humane e të largohet politika. Politika ka vulosur një gjë që thotë duhet të punohet, dakordohet duhet të punohet bashkë, gjithë kanë punuar bashkë por çka politika nuk është kah i lejon atë që garantohet me konventa ndërkombëtare që garantojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve…..Karshi kësaj deklarate më prek në shpirt që po thonë jena dakorduar për një dokument ose një deklaratë që ka me u bë kjo e kjo e nuk është askund e përputhur apo e caktuar kur niset apo kur përfundon, mua më dhemb këtu se me fol paushall e mos me ditë as kur ka fillim dhe mbarim këto janë përralla për fëmijë”, thekson ai.
Duke e konsideruar këtë deklaratë si të mjerueshme, Çerkini kërkon që familjarët e personave të zhdukur të takohen me Grupin punues dhe ata që ishin pjesë e takimit të djeshëm në Bruksel.
“Ne familjarët së shpejti duhet të kërkojmë të kemi takim me Grupin punues dhe me njerëzit që kanë marr pjesë në këtë dialog apo në këtë marrëveshje mjerisht të shëmtuar unë e quaj një gjë kur e sheh krejtësisht të shëmtuar edhe me këtë nuk i besoj një gjëje që nuk është në trurin e neve familjarëve që do të bëhet diçka më mirë”, theksoi ai.
Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel të martën kanë nënshkruar deklaratën për të zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në bazë të Deklaratës për personat e zhdukur palët janë zotuar se do të angazhohen:
– Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,
– Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas gërmimet,
– Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen Personat e Zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet, dhe çdo dokument tjetër përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, nën posedimin e institucioneve të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,
– Për të vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtarë me rëndësi për përcaktimin e fatit të Personave të Zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varreve masive,
– Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fatit të tyre,
– Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresimin e nevojave të familjeve të Personave të Zhdukur etj.
Ndërkaq, në takimin e tyre është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit nga ish-ekipi menaxhues, i cili sipas kryeministrit Kurti është i papranueshëm për Kosovën. Ndërkaq gjatë ditës së sotme, Qeveria e Kosovës ka shkarkuar ekipin menaxhues që e ka hartuar draft-statutit e Asociacionit.