Në kuadër të ligjëratave me profesorin e UBT-së, Rajan Arapi, në lëndën e marketingut, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, patën mundësi që të dëgjojnë nga afër lidhur me eksperiencat e kryeshefit ekzekutiv të kompanisë për patundshmëri “Pro Real Estate”, Krenar Batusha.
Ligjërata e titulluar: “Kultura organizative indikator kyç në një menaxhim efikas”, studentëve iu ka ofruar një shtjellim teorik, nga ku përmes shpjegimeve të kryeshefit ekzekutiv të kompanisë “Pro Real Estate”, Krenar Batusha, i ka njoftuar ata me zhvillimet praktike që aktualisht po aplikohen nga kjo kompani e cila merret me menaxhimin e pronës dhe patundshmërive.
Pjesa e parë e ligjëratës u fokusua tek përkushtimi personal që secili i ri duhet ta konsiderojë si prioritet, duke filluar kështu nga menaxhimi i kohës, koncentrimi në gjërat që kanë vlerë, e deri tek përzgjedhja e shoqërisë dhe njerëzve me të cilët do të kalojë kohën.
Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Pro Real Estate”, ka potencuar rëndësinë e marketingut si departament kryesor në kuadër të kompanisë, përderisa ka përshkruar në detaje edhe vendet e punës për secilin punonjës si dhe kërkimet e vazhdueshme të tregut nga të cilat arrijnë të identifikojnë potencial për të depërtuar dhe zhvilluar kompani të ndryshme.
Në këtë ligjëratë, u shpalosën edhe detaje të tjera, duke përfshirë edhe planifikimet strategjike të kompanisë në fjalë për të ardhmen, si dhe mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës për qindra të rinj të cilët zotërojnë shkathtësi, talent dhe vullnet për të punuar dhe kontribuuar.